Zbulohet arsyeja pse Osmani u takua me komandantin FSK-së

  • A.P /
  • 06 September 2023 - 15:53
Zbulohet arsyeja pse Osmani u takua me komandantin FSK-së

Komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jasharin, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e priti sot në takim pune, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ky takim u zhvillua para udhëtimit zyrtar të presidentes  për në selinë e NATO-s.

Presidentja Osmani në cilësi të Komandantes Supreme të FSK-së, u njoftua nga gjenerallejtënant Jashari me aktivitetet dhe zhvillimet aktuale në FSK, me theks të veçantë për procesin e realizimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit gjatë vitit 2023 dhe rritjen e mirëqenies se ushtarëve dhe ushtarakëve të FSK-së.

Po ashtu, Presidentja Osmani diskutoi me gjenerallejtënant Jasharin për bashkëpunimin dhe koordinimin e ngushtë me partnerin kryesor strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me shtetet e tjera të NATO-s, lidhur me çështje të sigurisë në vend dhe rajon, thuhet nga Presidenca.

“Të dy ritheksuan se vizioni ynë i përbashkët është që Republika e Kosovës të zhvillojë ushtrinë e saj në përputhje me standardet e vendeve anëtare të NATO-së, për të qenë forcë e ndërveprueshme në misionet e përbashkëta me forcat aleate në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe globale”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Osmani më 7 shtator do të zhvillojë takim me sekretarin e NATO-s Jens Stoltenberg.

(Kosova Sot Online)