Serbia e dërgon në paraburgim drejtorin komunal të Leposaviqit, reagon Rashiq

  • E.K /
  • 11 September 2023 - 08:15
Serbia e dërgon në paraburgim drejtorin komunal të Leposaviqit, reagon Rashiq

Autoritet serbe kanë dërguar në paraburgim drejtorin e Administratës në Komunën e Leposaviqit, Nikolla Radimiroviq, i cili është arrestuar dje bashkë me të fejuarën e tij nga Policia e Serbisë.

“Radimiroviqin e kanë dërguar në paraburgim në Beograd nën akuzat për ‘terrorizëm e cenim të rendit Kushtetues në Serbi’, ndërkohë që e fejuara e tij është liruar”, thotë i njëjti burim.

Kjo nuk është hera e parë që Serbia persekuton serbët e Kosovës. Vetë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se “drejtori i Administratës në Komunën e Leposaviqit së bashku me të fejuarën e tij po mbahen të arrestuar për arsyen e vetme se Nikolla është pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës”.

Sipas Sveçlës, ky arrestim është i padrejtë, si dhe është një dëshmi e qasjes destruktive e destabilizuese të qeverisë së Serbisë dhe hakmarrje pas suksesit të Kosovës të arritur dje dhe dështimit të tyre për të ndalur vendimin që Kosova të jetë nikoqire e lojërave mesdhetare 2030.

Radimiroviq është arrestuar të shtunën nga policia e Serbisë dhe është dërguar në stacionin e policisë serbe në Rashkë. Serbia vazhdimisht po nxit tensione në Kosovë, derisa edhe ky veprim  erdhi pikërisht para takimit të Brukselit.

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka kërkuar lirimin e Nikola Radomiroviqit, drejtor i Drejtorisë së Administratës në Komunën e Leposaviqit, i cili është ndaluar një ditë më parë nga autoritetet serbe. Në një konferencë për media, ai ka kërkuar edhe ndalimin e represionit ndaj serbëve të Kosovës që nuk i përkrahin pushtetin aktual në Beogradi dhe Listën Serbe.

Lirimin sa më parë të drejtorit të Administratës të Komunës së Leposaviqit, Nikola Radomiroviq, që po mbahet në Rashkë, e ka kërkuar ministri Nenad Rashiq.

Në një konferencë për media ai u ka kërkuar të gjithë njerëzve që mund të kenë ndikim për t’i bërë presion pushtetit në Serbi ta lirojë Nikola Radomiroviqin që u arrestua në pikën kufitare në Jarinjë, nën dyshimet për vepra penale kundër rendit kushtetues të Serbisë.

“Kemi arritur në një kulm të situatës ku secili prej nesh që mendon ndryshe prej regjimit radikal, ekstrem, që fatkeqësisht në këtë moment e ka pushtetin në Beograd, bëhet cak i veprimeve të vrazhda dhe të paskrupullta. Kështu që edhe një herë po i lus të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë proces që ta bëjnë një veprim normal dhe ta ndalin këtë represion i cili me të vërtetë te ne nuk mund të prodhojë asgjë të mirë, por vetëm pasoja të këqija”, tha Rashiq, ministër për Komunitete e Kthim. 

Beogradin e ka akuzuar për “gjueti shtrigash” ndaj të gjithë atyre që nuk i simpatizojnë Listën Serbe e Vuçiqin.

Ai ka thënë se pret lëvizje të tilla tash që po afrohen zgjedhjet në Serbi – që janë paralajmëruar për vitin e ardhshëm .

“Është fjala në anglisht “which hunt”, që këto ditë në Serbi është shumë popullore dhe fatkeqësisht pasi shumë shpejt do të kemi zgjedhje në Serbi, dhe kjo do të reflektohet definitivisht edhe në skenën regjionale politike e edhe te serbët e Kosovës, të cilët përsëri do të kenë pasoja të veprimeve të cilat janë të paartikuluara nga ana e Beogradit zyrtar”, tha Rashiq. 

I pyetur lidhur me djegien e një veture në veri, ai ka aluduar se bëhet fjalë për persona të paguar e të kërcënuar.

E përmendi që javën e kaluar u raportua se Milan Radojiçiqi, nënkryetar i Listës Serbe, e ka rrahur Aleksandar Spiriqin, shef i strukturës paralele që quhet qarku i Mitrovicës.

Sipas Rashiqit, arsyetimi skandaloz që ia kanë dhënë avokatit të Radomiroviqit është se nuk ka gjyqtar që do të vendoste lidhur me ndalimin apo lirimin e tij.

Nikola Radomiroviq, drejtor i Drejtorisë së Administratës të Komunës së Leposaviqit, është edhe i biri i Radoica Radomiroviqit, zëvendësministër për Komunitete dhe Kthim.

Sipas Rashiqit, ka qindra e ndoshta mijëra serbë që punojnë në institucione të Kosovës, të cilët s’janë përkrahës të Listës Serbe dhe të Vuçiqit, e të cilëve u bëhet presion përmes ndalimit nga organet e Serbisë.

(Kosova Sot Online)