Transportimi i trupit të argjentinases që dyshohet se u vra në Kosovë, Qeveria ndan 4 mijë e 200 euro

  • E.K /
  • 13 September 2023 - 11:48
Transportimi i trupit të argjentinases që dyshohet se u vra në Kosovë, Qeveria ndan 4 mijë e 200 euro

Qeveria e Kosovës ka ndarë në mbledhjen e sotme 4 mijë e 200 euro për transportimin e kuformës së shtetases argjentinase, Maria Clara Urdungaray, e cila dyshohet se u vra në fillim të muajit gusht në Fushë Kosovë, raporton Express.

Ndarja e këtyre mjeteve është bërë me propozim të Ministrisë së Drejtësisë. Propozimin e prezantoi zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorolli.  Ai tha se kërkesën për mbulim të shpenzimeve e kanë pranuar nga avokatja e familjes së të ndjerës, më 1 shtator të këtij viti.

“Më datë 1 shtator të vitit 2023, avokatja e familjes Urdungaray për shkak të vështirësive financiare të familjes ka bërë kërkesë zyrtare në Ministrinë e Drejtësisë dhe ka paraqitur prokurën e saj zyrtare të noterizuar pranë Ministrisë, për mbështetje financiare, përkatësisht për mbulimin e shpenzimeve financiare për transportimin e kufomës së shtetases së ndjerë argjentinase Maria Clara Urdungaray nga Prishtina për në Argjentinë, e cila javë më parë ka humbur jetën në Kosovë. Ministria e Drejtësisë  duke marrë parasysh ndjeshmërinë dhe aspektin human, duke marrë parasysh pamundësinë finaniare të familjes së saj në Argjentinë ka proceduar kërkesë dhe propozim-vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për të mbuluar shpenzimet e transportimit të kufomës së shtetases së ndjerë argjentinase nga Prishtina në kryeqytetin e Argjentinës. Mbulimi i shpenzimeve për transportimin e kufomës kap vlerën prej 4 mijë e 200 euro dhe këto do të mbulohen nga buxheti i Ministrisë së Drejtësisë”, tha Qorrolli.

Nga Instituti i Mjekësisë Ligjore kanë deklaruar javën e kaluar se trupi i argjentinases nuk i është kthyer ende familjes dhe se janë në pritje të procedurave ligjore.

27-vjeçarja vdiq në fillim të muajit gusht në Fushë Kosovë pasi ra nga kati i gjashtë i një ndërtese.

Dyshimet janë se në orët e para të 1 gushtit në Fushë Kosovë, Endrit Nikaj dyshohet se e ka gjuajtur nga kati i gjashtë argjentinasen. Ajo u dërgua në QKUK, mirëpo nuk arriti t’iu bëjë ballë lëndimeve që kishte pësuar.

“VRASJE: Fushë Kosovë 01.08.2023 – 01:59. Nga QKUK-ja është raportuar se ka ndërruar jeta viktima femër shtetase e Argjentinës si pasojë e lëndimeve të marra, që dyshohet se ka rënë nga një lartësi e objektit ku ka qenë duke qëndruar së bashku me te dyshuarin mashkull shtetas Zvicran. Me vendim të prokurorit kujdestar, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje. Rasti ne procedure hetimore”, thuhej në raportin 24 orësh të Policisë.

Për këtë rast kanë raportuar mediat në Argjentinë e Zvicër, ndërkaq babai i të ndjerës është shprehur i bindur se vrasja e bijës së tij është femicid.

“Vajza ime kishte folur me mamanë e saj dhe e kishte përshkruar të dashurin si një femëror dhe shumë xheloz. Është një femicid, jam i bindur,” ka deklaruar Facundo Urdangaray, babai i Maria Clara.

Endrit Nika është arrestuar dhe tani ndodhet në paraburgim. Gazeta zvicerane “Blick” ka raportuar se 32 vjeçari e kishte futur ilegalisht të dashurën e tij në Kosovë, duke e fshehur në bagazh të veturës.

(Kosova Sot Online)