Sulmi fizik ndaj të moshuarës në Pejë – Caktohet seanca fillestare ndaj tri infermiereve të akuzuara
Gjykata Themelore në Pejë e ka caktuar seancën fillestare ndaj tri infermiereve të shtëpisë për kujdesin e të moshuarve “Orenda”, për sulm ndaj një gruaje të moshuar, përcjell “Kosova Sot Online”.
Zëdhënësja e kësaj gjykate, Tringa Zhuti, ka treguar se seanca është caktuar me datë 31 Tetor në orën 10:00.
Sipas aktakuzës, tri të pandehurat në cilësinë e infermiereve në shtëpinë e kujdesit për të moshuar “Orenda”, me dashje dhe në bashkëkryerje kanë përdorur forcë ndaj të moshuarës, e cila ishte e vendosur në ketë strehimore.
“Në atë mënyrë që pasi të pandehurat planifikojnë ta vënë nën kontroll viktimën e ndjeshme, me kërkesën e të pandehurës A.P., e pandehura R.K., e incizon me telefon, kurse e pandehura A.R., e kap përdore viktimën duke e mbajtur, e pandehura A.P., e godet disa herë me shuplakë viktimën e tri herë me gjunjë në pjesë abdominale, e të gjitha këto veprime përcjellën me video incizim dhe të qeshura nga tri të pandehurat”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurat kanë përmbushur elementet e veprës penale “Sulmi”.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurat të shpallën fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila ju vihet në barrë.
“Gjithashtu në departamentin e krimeve të rënda në këtë prokurori janë duke u ndërmarrë veprime hetimore për procesin e strehimores për veprat penale nga kapitulli i korrupsionit”, përfundon njoftimi.
(Kosova Sot Online)