Deputetja britanike flet për ngjarjet në Veri, kërcënimin që i bëri Vuçiq dhe bisedat me Kurtin

  • S.A /
  • 26 September 2023 - 12:26
Deputetja britanike flet për ngjarjet në Veri, kërcënimin që i bëri Vuçiq dhe bisedat me Kurtin

Deputetja britanike, Alicia Kearns në një intervistë për Demostat është pyetur në lidhje me situatën aktuale në Veri. Ajo ka thënë se situata aktuale në Ballkan i shqetëson shumë deputetë në Evropë, transmeton "Kosova Sot Online".

Kearns ka deklaruar se procesi i normalizimit duhet të vazhdojë dhe të bazohen në një trajtim të barabartë për Kosovën dhe Serbinë. Sipas Kearns, aktualisht kjo nuk është qasja e BE’së dhe SHBA’së.

“Situata aktuale në Ballkan i shqetëson shumë deputetë përreth Evropës dhe përtej. Ekziston një dëshirë e komunitetit ndërkombëtar që ta mbështesë Kosovën dhe Serbinë që t’i zgjidhin tensionet dhe të vazhdojnë drejt një bashkëjetese paqësore. Gjithsesi, nëse procesi i normalizimit do të vazhdojë, duhet të bazohet në trajtim të njëjtë dhe barabartë për të dy palët – që aktualisht nuk është qasje e BE’së dhe SHBA’së.”

Kearns ka folur edhe për Marrëveshjen e Ohrit. Ajo tha se mund të gjendet një zgjidhje për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“E kam diskutuar me kryeministrin Kurti. Mund të gjendet një zgjidhje dhe shpresoj që do të gjendet, por do të kërkojë nga të dy palët kompromis dhe mirëkuptim, retorikë të deeskalimit dhe angazhim të sinqertë në dialogun e kryesuar nga BE.”

Demostat e ka pyetur deputeten britanike edhe për deklaratat e saj për kontrabandimin e armëve nga Serbia në Kosovë, e që më pas i kishte reaguar edhe presidenti serb Vuçiq duke i thënë se lobon për Kosovën dhe se do të zhvillojnë një hetim për të parë se “kush e financon” deputeten Kearns.

Deputetja britanike tha se nuk i takon Vuçiqit që të kërcënojë një deputete dhe shtoi se një sjellje e tillë vetëm sa e dobëson reputacionin e Vuçiqit nè Britani.

“Nuk i takon presidentit të një shteti të kërcënojë një deputete të parlamentit. Unë nuk do të lejojë që shpifjet dhe një retorikë të tillë që të më frikësojë që të hesht. Në sistemin britanik, deputetët deklarojnë të gjitha ato që kanë. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Zyra e Punëve të Jashtme e kanë bërë të qartë se kërcënimet ndaj meje, ose ndaj çdo deputeti tjetër britanik që flet lirshëm në Parlament, janë krejtësisht të papranueshme. Një sjellje e tillë vetëm sa e dobëson reputacionin e Vuçiqit në Britaninë e Madhe.”

Ajo tha se vendimi i autoriteteve serbe për ta ndalur përkohësisht eksportin e armëve është përpjekje që të largohet vëmendja nga sanksionimi i Aleksandër Vulinit.

“Është një përpjekje për të larguar vëmendjen nga sanksionimi i Aleksandar Vulin nga SHBA për krim të organizuar, punë me narkotikë ilegalë dhe abuzim të detyrës zyrtare. Sugjerimi për agresion ndaj Republikës së Serbisë është retorikë përshkallëzuese e panevojshme.”

Kearns në këtë intervistë ka thënë se Britania e Madhe dëshiron ta shohë Ballkanin duke lëvizur përpara. Ajo tha se ka folur me kryeministrin Kurti për nevojën që serbët e Ksoovës “të ndihen të dëgjuar dhe të përkrahur”.

“Britania e Madhe, duke punuar me aleatë, dëshiron që ta shohë Ballkanin duke lëvizur përpara, jo mbrapa në ditët e errëta të 90’ve. Njerëzit e Ballkanit janë ndër njerëzit më mikëpritës dhe më shoqërues në botë. Ata meritojnë më mirë se kërcënimi i vazhdueshëm i konfliktit dhe njerëzit që shfrytëzojnë ndarjet në ndjekjen e pushtetit. Askush nuk dëshiron luftë apo konflikt në Ballkan dhe çdo veprim i imi ka për qëllim parandalimin e nxitjes së ndarjes dhe urrejtjes që rrezikon të shkaktojë konflikt në komunitetet që thjesht duan të jetojnë në paqe. Disa deputetë nga disa vende kanë sfiduar qeveritë e tyre, siç e kam bërë unë publikisht, që të pyesin veten se çfarë po bëjnë për të mbështetur serbët e Kosovës në një mënyrë më të mirë. Unë personalisht kam folur edhe me kryeministrin Kurti për nevojën që serbët e Kosovës të ndihen të dëgjuar dhe të përkrahur si pjesë e Kosovës”, ka thënë ajo.

(Kosova Sot Online )