Biden i bashkohet grevës së punonjësve të autoindustrisë

  • A.P /
  • 27 September 2023 - 16:16
Biden i bashkohet grevës së punonjësve të autoindustrisë

Ish-Presidenti Donald Trump do të shkojë sonte në Miçigan në përpjekje për të siguruar mbështetje për zgjedhjet presidenciale të vitit që vjen, ndërsa greva e punonjësve të industrisë së prodhimit të makinave hyn në javën e dytë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Vizita e zotit Trump vjen një ditë pasi Presidenti Joe Biden u bë presidenti i parë amerikan në detyrë që i bashkohet një greve të sindikatave, duke mbështetur punonjësit e linjës së prodhimit të automjeteve në Miçigan ndërsa kërkojnë rritje page prej 40 për qind dhe një javë pune 32 orëshe. Vizitat e kundërshtarëve politikë nxjerrin në pah dinamikën e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, e cila gjithnjë e më shumë po duket si një duel mes republikanit Trump dhe demokratit Biden. Por sa do të ndikojë vizita e Presidentit Biden tek qëndrimi i drejtuesve të tre gjigandëve amerikanë të prodhimit të makinave?


Presidenti Joe Biden thotë shpesh se sindikatat e punonjësve e ndërtuan Amerikën. Të martën, ai u bë presidenti i parë në detyrë që i bashkohet grevës së sindikatës së punonjësve të autoindustrisë në Detroit. Greva e punonjësve të autoindustrisë po hyn në javën e dytë ndërsa kërkojnë paga më të larta dhe një javë më të shkurtër pune si dhe ndryshime të tjera nga drejtuesit e tre gjigandëve amerikanë të prodhimit të automobilave.

Zoti Biden nuk ka thënë se cilat kërkesa të punonjësve i mbështet, ndërsa është shprehur se i mbështet të drejtat e tyre.


“Vazhdoni grevën, sepse meritoni rritjen e konsiderueshme që ju nevojitet dhe përfitime të tjera. Le të fitojmë atë që kemi humbur. Ne i mbështetëm ata (kompanitë e automobilave). Tani është koha që ata të na mbështesin ne”.


Presidenti i sindikatës së fuqishme të punonjësve të autoindustrisë amerikane e falënderoi zotin Biden. Sindikata që mbështeti kandidaturën e zotit Biden në vitin 2020 ende nuk ka shprehur qëndrimin për zgjedhjet e vitit 2024.



“Faleminderit zoti President që erdhët për të na mbështetur në momentin përcaktues të gjeneratës tonë. Faleminderit që jeni pjesë e kësaj beteje”, tha Shawn Fain, president i sindikatës “United Auto Workers”.

Sindikata thotë se ka më shumë se 400,000 anëtarë, ndërsa thekson rritjen e fitimeve të mëdha të kompanisë dhe pagat e larta të drejtuesve, në kontrast me rritjen e vogël të pagës së punonjësve.


Javën e kaluar gjatë protestës, një punonjëse tha se greva ka të bëjë më shumë sesa kushtet. Bëhet fjalë për mënyrën sesi amerikanë mendojnë për punën dhe kompensimin nga korporatat.


“Dua që nivelet të jenë të balancuara. Që të gjithë të kenë një pagë të mirë dhe të drejtë. Nëse paguhem 30 dollarë në njërën anë të linjës së prodhimit dhe individi përballë meje paguhet 15 dollarë në orë, si mund të jetë e drejtë?”, thotë Yolanda Downs, anëtare e sindikatës.

(Kosova Sot Online)