Kurti kërkon mbështetje nga Zvicra për anëtarësimin e Kosovës në KiE: Kemi nevojë për miq

  • E.K /
  • 29 September 2023 - 13:05
Kurti kërkon mbështetje nga Zvicra për anëtarësimin e Kosovës në KiE: Kemi nevojë për miq

“Situata në veri të Kosovës është përshkallëzuar gjatë fundjavës. Pak para kësaj, Albin Kurti mori pjesë në një aktivitet të fushatës zgjedhore për PS-në dhe presidentin federal Alain Berset. Bisedë me një burrë të kërkuar këto ditë”

Kështu nis përshkrimi i intervistës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për gazetën zvicerane Neue Zürcher Zeitung, e publikuar pak ditë pas sulmit terrorist që ndodhi në Banjskë.

Kurti në këtë intervistë, ka kërkuar mbështetjen e Zvicrës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kurti ka thënë se për t’u bërë anëtarë të Këshillit të Evropës, Kosova ka nevojë për miq.

“Qëllimi i Kosovës është që vitin e ardhshëm të anëtarësohet në Këshillin e Evropës”, ka thënë Kurti për gazetën e Cyrihut.

Para së gjithash, në këtë intervistë Kurti ka thënë se ndihma e kërkuar, është një çështje gjeopolitike. Sipas tij, dihet që vendet e BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut) nuk e njohin Kosovën.

“Kemi nevojë për ndihmë nga Zvicra”, tha Kurti.

Intervista për Neue Zürcher Zeitung u publikua veç një janë pas takimit që Kurti pati me presidentin e  Konfederatës zvicerane, Alain Berset, në Bern të Zvicrës.

Zvicra mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, bëri të ditur Departamenti Federal i Brendshëm (DFI) pas këtij takimi mes Kurtit e Bersetit.

Nga ana e tij, gjatë bisedimeve, Berset nënvizoi mbështetjen e Zvicrës për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ftoi të dyja vendet që të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, të negociuara në pranverë.

Megjithatë, dy ditë pas takimit, në veriun e Kosovës ndodhi sulmi terrorist ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe katër sulmues serbë.

Departamenti Federal i Punëve të Jashtme (DFA) dënoi sulmin ndaj policisë kosovare “me termat më të ashpër” dhe apeloi për qetësi. Autorët e këtij akti dhune do të duhet të mbajnë përgjegjësi, shkruan FDFA në X (ish-Twitter).

(Kosova Sot Online)