Drejtori i policisë së Bosnjës paralajmëron hetim për pretendimet se Radoiçiq kishte blerë armë nga Tuzlla

  • E.K /
  • 04 October 2023 - 08:08
Drejtori i policisë së Bosnjës paralajmëron hetim për pretendimet se Radoiçiq kishte blerë armë nga Tuzlla

Vahidin Muhiq, drejtor i Administratës Federale të Policisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, ka njoftuar se do të kontrollojë pretendimet se Milan Radoiçiq ka blerë armë, municione dhe eksploziv nga Tuzlla, për të cilat Prokuroria e Lartë e Beogradit dyshon.

“Administrata Federale e Policisë do të ndërmarrë aktivitete në lidhje me verifikimin e pretendimeve se Milan Radoiçiq ka blerë armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla nga janari 2023 deri më 24 shtator. Tashmë në mëngjes do të kërkojmë nga autoritetet e Republikës së Serbisë që të na japin informacionin në dispozicion, pas së cilës do të ndërmarrim masa dhe veprime brenda juridiksionit tonë”, tha Munjiq.

Përkatësisht, siç njoftoi më herët sot Prokuroria e Lartë e Beogradit, Radoiçiq akuzohet për blerjen e armëve, municioneve dhe eksplozivëve të fuqisë së madhe shkatërruese nga Tuzlla, Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilat i janë dorëzuar në territorin e qytetit të Beogradit nga janari i vitit 2023 deri më 24 shtator në linjën Bubanj Potok – Vërçin, të cilat më pas i ka transportuar dhe ruajtur në lokacione të pacaktuara në territorin e Kosovës.

Radoiçiq dyshohet se ka kryer krime me disa persona të panjohur: Bashkim me qëllim të kryerjes së veprave kriminale, prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paautorizuar të armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese dhe krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme. Gjatë ditës së sotme ai është marrë në pyetje nga prokuroria, e cila i ka propozuar gjykatës që për shkak të rrezikut të arratisjes, të mbahej në masën 30 ditë paraburgim.

Nënkryetari i deridjeshëm i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, pranoi publikisht pjesëmarrjen e tij në grupin terrorist në fshatin Banjskë. 

(Kosova Sot Online)