“Ato janë foshnje”, Hamasi ua mori peng fëmijët, izraelitët luten për ndihmë

  • E.K /
  • 09 October 2023 - 15:35
“Ato janë foshnje”, Hamasi ua mori peng fëmijët, izraelitët luten për ndihmë

Të dielën në mbrëmje, izraelitët, anëtarët e familjeve të të cilëve janë marrë peng nga militantët e Hamasit, u mblodhën për të mbajtur një konferencë shtypi, me sytë e botës të fokusuar në pikëllimin e tyre, raporton The Guardian.

“Dy vajzat e mia të vogla, ato janë vetëm foshnje. Ato nuk janë as pesë vjeç dhe tre vjeç”, tha Yoni Asher, i cili tregoi se kishte parë videon e personave të armatosur që kapnin gruan dhe dy vajzat e tij të vogla.

Një baba tjetër, Uri David, tha për mediat e mbledhura se kishte biseduar 30 minuta në telefon me dy vajzat e tij, Tair dhe Odaya, përpara se një furi e papritur në anën tjetër të linjës t’ia ndërpriste bisedën.

“Dëgjova të shtëna, të bërtitura në arabisht, u thashë të shtriheshin në tokë dhe të kapeshin për dore”, tha David, duke shtuar se tani nuk ishte në dijeni të fatit të tyre.

“Unë kërkoj që e gjithë bota të shohë se çfarë po kaloj. Ne duhet t’i sjellim fëmijët në shtëpi – dhe sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai.

Rreth 100 izraelitë, ushtarakë dhe civilë, tani besohet se janë marrë peng në Gaza pas sulmit të befasishëm nga grupi militant Hamas mbi komunitetet në jug të Izraelit.

Një grup i dytë militant palestinez, Xhihadi Islamik, tha se po i mban gjithashtu më shumë se 30 robër. Një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) ka thënë se “është e paprecedentë në historinë tonë që kemi kaq shumë shtetas izraelitë në duart e një organizate terroriste”.

(Kosova Sot Online)