Nagorno-Karabakh, sulmi në Veri të Kosovës e lufta Hamas-Izrael, komenti i POLITICO: Putini po i shijon

  • E.K /
  • 10 October 2023 - 11:48
Nagorno-Karabakh, sulmi në Veri të Kosovës e lufta Hamas-Izrael, komenti i POLITICO: Putini po i shijon

Jamie Dettmer që është redaktor i OP-ED dhe Christian Oliver që është kreu i lajmeve në POLITICO Europe kanë dalë me një koment të përbashkët në Politico për ngjarjet që po ndodhin nëpër botë, duke filluar nga përleshjet në Nagorno Kharabak në mes të Azerbejxhanit dhe Armenisë, sulmin terrorist në Banjskë dhe së fundi sulmin terrorist të Hamasit kundër Izraelit.

Dettmer dhe Oliver shkruajnë se mbase Vladimir Putini nuk i ka ndezur të gjitha këto kriza, por se tani  “ai është i lumtur që të hedh benzinë në zjarr dhe t’i luaj ato në avantazhin e tij”.

“Ai po e shijon kaosin”, thuhet në komentin e POLITICO.

Një diplomat i BE-së ka thënë se sulmi terrorist kundër Izraelit është ndoshta dhurata më e mirë e ditëlindjes për Putinin.

 “Kjo ishte ndoshta dhurata më e mirë e ditëlindjes për Putinin. Sulmi kundër Izraelit do të ndajë vëmendjen, duke pasur parasysh fokusin e natyrshëm të SHBA-së në Izrael”, ka thënë një diplomat i BE-së, shkruan Politico, transmeton Express.

Të dy gazetarët në komentin e tyre kanë përmendur edhe rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Ata shkruajnë se Kosova e ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksander Vucic se e ka urdhëruar sulmin, ndërkohë që potencojnë se ka edhe të tjerë që e shohin këtë si dorë të ultranacionalistëve të ekstremit të djathtë serb të cilët kanë lidhje të ngushta me Moskën.

“Kosovarët dhe shqiptarët kanë argumentuar prej kohësh se Rusia është forca kryesore në përpjekjen për të shkaktuar një luftë të re në Ballkan. Vetëm muajin e kaluar, kryeministri shqiptar Edi Rama tha se Rusia po i kapte tensionet mbi Kosovën për të justifikuar “ëndrrat e saj neo-perandorake””, shkruajnë tutje Dettmer dhe Oliver nga POLITICO, transmeton Express.

Ata thonë se pavarësisht nëse Putin është i përfshirë drejtpërdrejt apo jo, një shpërthim eventual në Ballkan do të ishte qartazi në interes të Rusisë, meqë do të shkaktohej një shpërqendrim i madh për Perëndimin, që sipas dy gazetarëve tashmë po ka vështirësi të ruaj unitetin.

“Pavarësisht nëse Putini përfshihet drejtpërdrejt apo jo, një shpërthim në Ballkan do të ishte qartë në interesin e Rusisë, duke shtuar një tjetër shpërqendrim të madh për një Perëndim të lodhshëm që tashmë ka vështirësi të ruajë koherencën dhe unitetin e tij”, shkruajnë dy gazetarët e POLITICO-s.

(Kosova Sot Online)