Azemi: Kosova është një vend të cilin po e frekuentojnë punëtorët nga Bangladeshi

  • E.k /
  • 11 October 2023 - 13:49
Azemi: Kosova është një vend të cilin po e frekuentojnë punëtorët nga Bangladeshi

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka thënë se ikja e të rinjve nga vendi po vazhdon dhe se Qeveria nuk po bën asgjë për rritjen e pagës minimale, përcjell “Kosova Sot Online”.

Azemi ka thënë se vetëm nga Bangladeshi kanë ardhur 500 punëtorë, mirëpo duke thënë se këta nuk vijnë për të punuar, por Kosovën e shohin si pikë tranzicioni për ikje në Perëndim.

“Punëtorët tani po zgjedhin. Nuk është koha kur pronarët e kompanive kanë thënë se nëse dëshiron të punosh mirë, nëse jo tjetri është duke pritur te dera. Nga Qeveria e Kosovës nuk kemi asnjë lëvizje për rritjen e pagës minimale. Kosova tani për tani është një vend të cilin po e frekuentojnë punëtorët nga Bangladeshi. Deri tani rreth 500 punëtorë kanë ardhur deri tani. Këta nuk vijnë për të punuar, por Kosovën e shohin si pikë tranzicioni për ikje në Perëndim”, është shprehur Azemi.

Ai tutje ka folur edhe për kushtet e punës të punëtorëve në sektorin privat.

“S’kemi kontratë kolektive, s’kemi sigurime shëndetësore. S’po shohim perspektivë në vendin tonë për të punuar. Qeveria se ka bërë punën më të vogël për parandalim e ikjes se punëtorëve. S’po kemi dialog pothuajse fare si partnerë me Qeverinë e Kosovës. Gjithçka që kërkohet nga Sindikatat Qeveria e sheh si kërkese kundërshtuese”, shtoi Azemi.

(Kosova Sot Online)