Kurti: Republika e Kosovës tre javë më parë është ballafaquar me një sulm terrorist

  • A.P /
  • 18 October 2023 - 15:46
Kurti: Republika e Kosovës tre javë më parë është ballafaquar me një sulm terrorist

Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Republika e Kosovës tre javë më parë është ballafaquar me një sulm terrorist, të mirë-organizuar dhe mbështetur në të gjitha format nga shteti me të cilin kufizohemi në pjesën veriore të vendit tonë, nga Serbia. Nga ky sulm i personave të maskuar e të armatosur rëndë, është vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku”, deklaroi ai.

Kurti ka thënë se të gjitha provat e siguruara në vendin e sulmit është dëshmuar që sulmi në Banjskë është kryer nga Serbia.

“Nga të gjitha provat e siguruara në vendin e sulmit dhe jo vetëm, dëshmohet qartë që ky sulm është kryer nga Serbia. Qëllimi kryesor i saj ka qenë që përmes terroristëve të armatosur e të maskuar të aneksojë veriun e vendit tonë. Duke pasur parasysh që Serbia vazhdon të jetë aleate e palëkundur e Rusisë, përmes këtij sulmi terrorist ajo ka tentuar ta kopjojë skenarin e Donbasit në Ukrainë. Falë profesionalizmit të institucioneve tona të sigurisë, veçanërisht të Policisë së Kosovës, ky skenar ka dështuar të realizohet, dhe është mbrojtur popullata civile që në mëngjesin e 24 shtatorit është gjendur e rrethuar nga këta terroristë e kriminelë”, ka thënë Kurti.

(Kosova Sot Online)