Kurti: Rezolutën e sotme të Parlamentit Evropian e mirëpresim

  • A.P /
  • 19 October 2023 - 23:15
Kurti: Rezolutën e sotme të Parlamentit Evropian e mirëpresim

Rezolutën e sotme të Parlamentit Evropian për zhvillimet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe për situatën në veri të Kosovës, e ka mirëpritur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Kurti nëpërmjet një shkrimi në platformën ‘X’ ka thënë se Parlamenti Evropian të enjten bëri thirrje edhe për rritjen e sigurisë në Kosovë dhe ka kërkuar nga Serbia të ndalojë mbështetjen e grupeve terroriste.

“Ndër masat e tjera, ai bën thirrje për rritjen e sigurisë për Kosovën dhe i kërkon Serbisë të shmangë çdo përshkallëzim të mëtejshëm, të ndalojë çdo mbështetje për formacionet terroriste dhe të tërheqë të gjitha bazat e saj operative ushtarake përgjatë kufirit”, ka shkruar Kurti.

“Ai gjithashtu u bën thirrje pesë shteteve të BE-së që nuk njohin Kosovën, që të njohin Kosovën, inkurajon Komisionin që të pezullojë fondet për Serbinë nëse nuk bashkëpunon dhe nxit “autoritetet serbe, të përmbahen nga gjuha e urrejtjes kundër kosovarëve dhe…informacionet e rreme në lidhje me ‘ spastrim etnik”, ka shkruar ai.

(Kosova Sot Online)