Telegram ngushëllimi familjes së Luan Mulliqi i dërgon ministri Çeku

  • A.P /
  • 22 October 2023 - 13:45
Telegram ngushëllimi familjes së Luan Mulliqi i dërgon ministri Çeku

Familjes së skulptorit Luan Mulliqi, që ndërroi jetë sot, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i ka dërguar një telegram ngushëllimi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Me pikëllim pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të skulptorit të shquar, Luan Mulliqi dhe ju shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta.”

Në telegram thuhet se Mulliqi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën artistike të Kosovës.

“Mulliqi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën artistike të Kosovës për çka do të jemi gjithmonë mirënjohës. Angazhimi i tij në zhvillimin e artit pamor dhe monumental në vend ka qenë thelbësor.:

Ai ka përmendur kontributin e Mulliqit.

“Kontributi i Mulliqit si drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës, autor i dy monografive për artin pamor në Kosovë, ligjërues në Universitetin e Prishtinës dhe atë të Tetovës si dhe angazhimi në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, do të mbetet i çmuar në artin dhe kulturën e Kosovës duke frymëzuar brezat e ardhshëm. Karriera e bujshme e tij që ngërthen shumë simpoziume të skulpturës me karakter ndërkombëtar, një sërë shkrimesh për skulpturë, për artet figurative dhe zhvillimet kulturore në Kosovë, ekspozita personale e kolektive nëpër shumë vende të botës, do të vlerësohet gjatë.”

Çeku ka thënë se me punën e tij, Mulliqi ka lënë trashëgimi disa nga monumentet më të njohura në vend, përfshirë shtatoren e akademik Fehmi Aganit në Prishtinë, shtatoren e Nënë Terezës në Tiranë, shtatoren e Ismail Qemalit në Prishtinë, bustin e Sekretares së shtetit të SHBA-ve Medlin Ollbrajt, e të tjera

“Me punën e tij na la trashëgimi disa nga monumentet më të njohura të vendit, përfshirë shtatoren e akademik Fehmi Aganit në Prishtinë, shtatoren e Nënë Terezës në Tiranë, shtatoren e Ismail Qemalit në Prishtinë, bustin e Sekretares së shtetit të SHBA-ve Medlin Ollbrajt, e të tjera. Ndërsa për punën që bëri mori çmime në konkurse të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Çmimet e fituara, tregojnë përkushtimin e tij të palodhur ndaj artit dhe kulturës së Kosovës.”

Ai i ka shprehur ngushëllimë familjes, kolegëve dhe të gjithë komunitetit artistik.

(Kosova Sot Online)