Kurti: Sulmin në Banjskë e organizoi Klani i Novi Sadit, në krye të tij është ministri serb i Mbrojtjes

  • E.K /
  • 23 October 2023 - 10:49
Kurti: Sulmin në Banjskë e organizoi Klani i Novi Sadit, në krye të tij është ministri serb i Mbrojtjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit. Sipas Kurtit, në krye të këtij klani ndodhet ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq.

“Sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit. Në krye të tij ndodhet Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq. Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviqit, dhe miku më i afërt i vëllaut të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiq.”

Ai ka thënë se rreth 40 pelegrinë ortodoksë në Manastirin e Banjskës më 24 shtator ishin nga Novi Sadi.

“Rreth 40 pelegrinë ortodoksë në Manastir të Banjskës me 24 shtator ishin nga Novi Sadi. Ndoshta e rastësishme, hetimet duhet ta tregojnë. Grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë. Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS.”

Ai e ka përmendur edhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, duke e quajtur “capo-di-tutti-capi”.

“Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin.”

Ai ka thënë se në katër komunat veriore të Kosoës “po merr fund terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve të Delije”.

“Në katër komunat veriore të Kosovës po merr fund terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve të Delije (tifozët e Cërvena Zvezdës) që shprehet me nofkat e ekstremistëve si: Mami, Llune, Daco, Rusi, Nemac, Gile, Drago, Aco, Comi, Belli, Micko, Prki, Mrki etj.”

Kurti ka shtruar pyetjen se a nuk do të duhej BE dhe SHBA ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit.

Sipas tij, mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar.

“Mirëpo, Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi. A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar.”

(Kosova Sot Online)