Ja kush thotë: Në Kosovën Lindore po shkelen të drejtat e njeriut

  • A.P /
  • 23 October 2023 - 15:03
Ja kush thotë: Në Kosovën Lindore po shkelen të drejtat e njeriut

Këshilli organizativ i Kuvendit Kombëtar Shqiptar për Kosovën dhe Unioni Shqiptar i Shoqërisë Civile në bashkëpunim me qytetarë nga Kosova Lindore kanë protestuar, të hënën në Prishtinë kundër politikave të Serbisë ndaj shqiptare që jetojnë në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kryetari i Unionit të Shoqërisë Civile, Dashamir Uruçi, ka thënë se prej shumë vitesh me shqetësim të madh, shqiptarët kanë ndjekur zhvillimet politike në komunat me shumicë shqiptare në Serbi.

Ai këto i ka thënë në protestën e organizuar nga Unioni i Shoqërisë Civile kundër politikave agresive ndaj vendbanimeve shqiptare në Luginë, e cila është mbajtur në Prishtinë.

Ai tha se Kosova Lindore është zemra e shqiptarisë dhe se në vendbanime historike janë shkelur në mënyrë të vazhdueshme liritë dhe drejtat themelore të njeriut.

“Kosova Lindore është zemra e shqiptarisë, janë mbledhur sot në këtë protestë paqësore përfaqësues nga gjithë vendbanimet që jetojnë shqiptarët, marrin pjesë qytetarë e patriotë nga Kosova Lindore, nga Presheva, Bujanoci e Medvegja, kanë ardhur shqiptarë nga Shkupi, Shkodra, Kumanova, Ulqini e Tetova. Në këto vendbanime historike janë shkelur në mënyrë të vazhdueshme liritë dhe drejtat themelore të njeriu”, tha Uruçi.

Tutje , shtoi se synimi i politikave të Serbisë është zbrazja e vendbanimeve shqiptare dhe spastrimi etnik.

“Politikat e ndjekura nga Serbia kanë qenë diferencimi, braktisja e skajshme dhe dëbimi me të gjitha mjetet. Synimi i këtyre politikave ka qenë zbrazja e vendbanimeve shqiptare dhe spastrimi etnik”.

Gjithashtu, kryetari tha se mbi 90% e shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, nga 150 të punësuar vetëm 4 janë shqiptar.

“Në sektorin e shëndetësisë situata është shumë e rëndë. Në Preshevë ku jetojmë mbi 90% e shqiptarëve, Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit është serb. Asnjë drejtues, asnjë mjek, asnjë prokuror shqiptar. Nga 150 të punësuar i gjen vetëm 4 shqiptar ” , tha ai

(Kosova Sot Online)