Gjykata ua vazhdon paraburgimin edhe për dy muaj tre prej terroristëve të Banjskës

  • E.k /
  • 24 October 2023 - 11:36
Gjykata ua vazhdon paraburgimin edhe për dy muaj tre prej terroristëve të Banjskës

Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për nga dy muaj të dyshuarve për sulmin terrorist të 24 shtatorit në fshatin Bansjkë të Zveçanit, përcjell “Kosova Sot Online”.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, për secilin”, ka deklaruar zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi.

Ndryshe, sot bëhen një muaj nga sulmi terrorist i Banjskës. Një grup terrorist prej rreth 100 personash sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku.

(Kosova Sot Online)