Macron del me thirrje: Koalicioni kundër ISIS të luftojë edhe Hamasin

  • A.P /
  • 24 October 2023 - 16:21
Macron del me thirrje: Koalicioni kundër ISIS të luftojë edhe Hamasin

Presidenti francez, Emanuel Macron, propozoi që koalicioni ndërkombëtarë, i cili lufton Shtetin Islamik në Irak dhe Siri, të zgjerohet për të përfshirë edhe luftën kundër grupit militant palestinez të Hamasit në Gaza, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Duke folur në krah të kryeministrit Benjamin Netanjahut në Jeruzalem, Macron theksoi se Franca dhe Izraeli ndajnë terrorizmin si “armikun e tyre të përbashkët”, por dha shumë pak detaje se si mund të përfshihet koalicioni i dhjetëra vendeve të udhëhequra nga SHBA.

Macron paralajmëroi gjithashtu mbi rrezikun e një konflikti rajonal.

“Lufta duhet të jetë e pamëshirshme po jo pa rregulla, pasi ne jemi demokraci që luftojnë kundër terroristeve, por qe megjithatë respektojnë ligjet e luftës dhe sigurojnë qasjen humanitare. Demokraci që nuk shënjestrojmë civilët në Gaza dhe askund tjetër.”

Presidenti francez, Emanuel Macron

Kryeministri Benjamin Netanjahu ndërkohë, u zotua të shkatërrojë Hamasin duke e cilësuar luftën e vendit kundër tij, si një test për perëndimin dhe civilizimin. Ai paralajmëroi për pasoja të paimagjinueshme nëse Hezbollahu do t’i bashkohej konfliktit.

“Nëse Hamas del fitimtar nga kjo luftë ne do të humbim. Evropa dhe çdokush do të jetë i rrezikuar. Prandaj beteja nuk është vetëm e jona por edhe e Amerikës, Evropës apo civilizimit. Nëse Hezbollah bën gabimin t’i bashkohet kësaj lufte, do të pendohet. Niveli i shkatërrimit që do të vuanin do të ishte i paimagjinueshëm.”

Benjamin Netanjahu

Macron, i cili u takua me familjet e viktimave franceze në aeroportin e Tel Avivit, tha se lirimi i 9 pengjeve franceze ishte prioriteti kryesor i vendit.

Vizita e Macron në Izrael vjen pasi ministrat e jashtëm e patën të vështirë të darkordësoheshin mbi një deklaratë për pauzë humanitare për të lejuar hyrjen e më shumë ndihmave për civilët.


(Kosova Sot Online)