Mustafa: Kurti e Osmani nga dialogu për njohje reciproke kanë degraduar në de-eskalim dhe Asociacionit ia kanë shtuar vetëmenaxhimin

  • A.P /
  • 29 October 2023 - 12:21
Mustafa: Kurti e Osmani nga dialogu për njohje reciproke kanë degraduar në de-eskalim dhe Asociacionit ia kanë shtuar vetëmenaxhimin

Zvarritja në procesin e dialogut ka pasur kosto politike për Kosovën, ka deklaruar Isa Mustafa, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai thotë se kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani nga krekosja ndaj ndërkombëtarëve për sovranitet në Veri mbetën vetëm me kartën e sigurisë, ndërkohë që shton se nga dialogu për njohje reciproke kanë degraduar në de-eskalim dhe Asociacionit ia kanë shtuar edhe vetëmenaxhimin.

Mustafa ka thënë se çdo vonesë shkon në favor të Serbisë dhe në dëm të Kosovës,

“Prolongimi i dialogut, koncentrimi në tema populliste dhe injorimi i partnerëve strategjikë u treguan me kosto politike për Kosovën. Qeveria dhe presidentja nga krekosjet ndaj amerikanëve dhe evropianëve me temën e sovranitetit tani, pas agresionit serb në veri të vendit, iu mbeti vetëm karta e sigurisë. Nga zgjidhja përfundimtare me njohje zbritën në zgjidhje për deeskalim, ndërkaq Asociacionit ia shtuan vetëmenaxhimin serb dhe statusin (shtetëror) të kishës ortodokse serbe. Aq sa po prolongohet procesi, ai po reflektohet qartë në dëm të Kosovës e në dobi të Serbisë”, ka thënë Mustafa.

Marrë parasysh dëmin e shkaktuar nga vonesat, Mustafa thotë se pranimi i dokumentit evropian për Asociacionin, që sipas tij, iu la në derë Kurtit, është një hap që e ndal të keqën më të madhe.

“Prandaj pajtimi i Qeverisë me dokumentin e Asociacionit të cilin ua la në derë pesëshja ndërkombëtare, është një hap që e ndalë të keqen edhe më të madhe”, ka potencuar Mustafa.

Ish-kryeministri thotë se tani është e rëndësishme që të shfrytëzohen elementet nga marrëveshjet paraprake, si ai për verifikim në Gjykatë Kushtetuese dhe të përdoren të gjithë mekanizmat shtetëror për ambientimin e Asociacionit brenda sistemit kushtetues të Kosovës.

“Tani me rëndësi është të shfrytëzohen elementet e marrëveshjeve paraprake të cilat i japin autorizime Gjykatës Kushtetuese të shqyrtojë përputhshmërinë e Statutit me Kushtetutën dhe më vonë shqyrtimin në të njëjtën formë të çdo ndryshimi të Statutit, për çfarë është pajtuar z. Vuçiq në dokumentin për parimet ( dhe e ka nënshkruar atëherë). Këtë dispozitë e kemi siguruar në dokumentin e vitit 2015, sikurse edhe zotimin me shkrim të znj. Mogerini. Me rëndësi është të shfrytëzohen të gjithë mekanizmat shtetëror që Asociacioni të ambientohet brenda sistemit tonë kushtetues. Obligimet që janë marrë në Bruksel dhe Ohër do duhej të Implementohen”, ka shtuar tutje ish-kryeministri, 

Në fund Mustafa thotë se tani nuk ia vlen marrja me Kurtin dhe sipas tij është e rëndësishme që të sigurohet bashkëpunim për ta nxjerrë Kosovën nga hendeku ku ka rënë.

“Tani nuk ia vlen të merremi me Kurtin, por ia vlen të krijohet një sinergji e cila e nxjerr vendin nga ky hendek që ka rënë dhe siguron stabilitet për të gjithë qytetarët”, ka përfunduar ish-kryeministri Isa Mustafa për express.

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksander Vucic gjatë javës në Bruksel janë takuar me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, përfshirë edhe preisdentin e Këshillit të BE, Charles Michel, Përfaqësuesin e Lartë, Josep Borell dhe emisarin Miroslav Lajcak.

Borell pas takimit ka thënë se as Kurti e as Vucic s’kanë qenë të gatshëm të pranojnë propozimin evropian pa vendosur parakushte, që kanë qenë të papranueshme për palën tjetër.

Ndërkohë që kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Vucic kanë thënë se janë pajtuar me draftin modern evropian për Asociacionin.

Në një komunikatë të përbashkët të Macron, Scholz dhe Meloni, është kërkuar që Kosova të nis themelimin e Asociacionit dhe Serbia ta japë njohjen de-facto. Ata gjithashtu kanë bërë thirrje që të tejkalohen shpejt dallimet në detaje. 

(Kosova Sot Online)