Kurti: Buxheti për pagat pritet të jetë 805 milionë euro apo 30 për qind më lartë sesa para pesë viteve

  • A.P /
  • 31 October 2023 - 16:35
Kurti: Buxheti për pagat pritet të jetë 805 milionë euro apo 30 për qind më lartë sesa para pesë viteve

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se po i rrisin pagat në sektorin publik, gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kurti bëri të ditur se buxheti për pagat pritet të jetë 805 milionë euro, “30 për qind më lartë sesa para pesë viteve”.

“Për sektorin publik, kemi thënë qysh në fillim të këtij viti se koeficienti i pagave për vitin 2024 do të jetë 110 euro, dhe këtë po e realizojmë. Pra, po i rrisim pagat në sektorin publik ashtu siç kemi thënë. Të gjitha përllogaritjet e buxhetit te kategoria e pagave janë duke marrë për bazë edhe rritjen e koeficientit. Dhe, gjithsej buxheti për paga parashihet që të jetë 805 milionë euro, apo rreth 30% më lartë sesa buxheti para 5 viteve.”

Po ashtu ai tha se për vitin 2024 është shtuar numri i policëve për edhe 500, numri i ushtarëve edhe për 600 të tjerë.

Buxheti për MPB’në do të tejkalojë 216 milionë euro, ndërsa për Ministrinë e Mbrojtjes 153 milionë euro.

“Me këtë buxhet, kujdes e rëndësi të veçantë po i japim mbrojtjes e sigurisë, prandaj për vitin 2024 kemi shtuar numrin e policëve për edhe 500 të tjerë, dhe numrin e ushtarëve edhe për 600 të tjerë. Buxheti për Ministrinë e Punëve të Brendshme për herë të parë do të tejkalojë 216 milionë euro, dhe për Ministrinë e Mbrojtjes do të jetë mbi 153 milionë euro, apo rreth 370 milionë euro për sektorin, e që i bie rreth 22% më shumë sesa viti 2023 në të cilin ndodhemi aktualisht.”

(Kosova Sot Online)