Gashi: Opozita dhe populli kanë mbetur në 'terr'

  • A.P /
  • 31 October 2023 - 18:13
Gashi: Opozita dhe populli kanë mbetur në 'terr'

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka deklaruar se Qeveria s’po e respekton obligimin për të raportuar para dhe pas çdo rundi të bisedimeve me Serbinë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Gashi shkroi se opozita dhe populli kanë mbetur “në terr”, ndonëse kryeministri Albin Kurti e ka pranuar statutin e propozuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai tha se ka kërkuar nga krerët e shtetit qasje në dokumente zyrtare për ta parë propozimin për Asociacionin, 

“Terri vazhdon. Edhe kur kryeministri publikisht e pranon statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, ne dhe populli jemi ende në terr”, shkroi Gashi.

“Dikur, bashkë kishim nxjerrë një rezolutë në Kuvendin e Kosovës, ku specifikohet qartë se Qeveria duhet të raportoj para dhe pas çdo raundi të bisedimeve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, mirëpo Qeveria ka vendosur që të mos e respektoj këtë obligim. Qeveria ka vendosur që të na le në terr”, shtoi ai.

Gashi shkroi se sipas deklarimeve të deputetëve në pushtet, konstatojnë “se ata i kanë parë dokumentet lidhur me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë”. Tha se “vetëm ne si opozitarë dhe populli nuk i kemi parë këto dokumente për këtë temë”.

“Ndërkaq, më 03.11.2023 (ditën e premte), do të mbahet seanca raportuese e kryeministrit lidhur me pranimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. E, sot, në cilësinë e shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, iu kam dërguar krerëve të pushtetit një kërkesë për qasje në dokumente zyrtare, përkatësisht për dokumentet e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, të cilin kryeministri tashmë veç e ka pranuar edhe publikisht”, shkroi Gashi.

“Le të shpresojmë se ky pushtet do ta respektoj të drejtën e deputetëve, dhe më së largu deri të enjten, pra një ditë para seancës raportuese të kryeministrit për këtë temë, të na ofroj dokumentet e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)