A do të hapet konkurs i ri për kryeprokuror?

  • A.P /
  • 02 November 2023 - 17:30
A do të hapet konkurs i ri për kryeprokuror?

Vendimi i presidentes Vjosa Osmani që të mos e dekretojë Blerim Isufajn për kryeprokuror të shtetit nuk e ka zmbrapsur Këshillin Prokurorial që t’ia çojë sërish të mërkurën të njëjtin emër për dekretim, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Letrën e KPK-së të nënshkruar nga kryesuesi i Këshillit, Jetish Maloku, në Presidencë nuk e kanë hapur ende.

Osmani më 17 tetor foli për “shkelje masive” në procesin e përzgjedhjes së Isufajt dhe tha se sipas ligjit dhe Kushtetutës, “Këshilli Prokurorial ka të drejtë që ta bëjë propozimin e kandidatit për Kryeprokuror një herë”, për dallim prej çështjes së prokurorëve.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se sipas ligjit, KPK nuk ka pasur bazë ligjore për t’ia dërgojë presidentes të njëjtin propozim për herë të dytë.

“Kushtetuta dhe ligji nuk parashohin situata apo mundësi që pas refuzimit të kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, i njejti propozim të dërgohet për emërim për herë të dytë. Është e pakuptimtë në aspektin juridik një qasje e tillë e Këshillit Prokurorial të Kosovës”, tha Miftaraj.

Ai e sheh të vështirë që Osmani të marrë çfarëdo vendimi në lidhje me propozimin i ridërguar të KPK-së.

“Pa paragjykuar vendimmarrjen e Zyrës së Presidentes lidhur me këtë propozim, do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për Presidenten të marr një vendim lidhur me këtë shkresë të KPK, pasi e njejta nuk gjen mbështetje në legjislacionin e aplikueshëm në Kosovë. KPK edhe kësaj herë injoroi kërkesat e publikut edhe të partnerëve ndërkombëtarë të cilët në mënyrë taksative kanë kërkuar që procesi i Kryeprokurorit të Shtetit të zvillohet në mënyrë transparente, të drejtë dhe të jetë i bazuar në meritokraci duke evituar vonesat e mëtutjeshme”, tha Miftaraj.

Tash, sipas tij duhet hapur konkurs i ri për kryeprokuror.

“Pritjet legjitime dhe në bazë të ligjit janë që KPK ta plotësojë dhe ndryshojë legjislacionin e brendshëm, të hapë konkurs të ti dhe të sigurojë që procesi të jetë i bazuar në ligj dhe i ndjekur nga parimet e meritokracisë dhe paanshmërisë”, tha ai.

Sipas Osmanit, në këtë çështje më nuk mund të ketë “betejë ligjore”. Duke folur për mundësinë që vendimi i saj të shkonte për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, ajo thoshte se “kjo është vetëm betejë politike”, duke shtuar: “Kush do betejë politikë, me mua betejë politike do të ketë”.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese , Enver Hasani në një intervistë para dy javësh i dha të drejtë presidentes se KPK s’mund t’i dërgojë asaj sërish propozim.

“Këtu ka të drejtë Presidentja në tërësi. Duhet të përsëritet procedura. Këshilli nuk ka të drejtë ta dërgojë propozimin e njëjtë dhe asnjë propozim tjetër bazuar në procedurën e vjetër, që është konsideruar me të drejtë pa integritet dhe krejtësisht e manipuluar, me kandidat të kontestuar në tërësinë e tyre dhe të padenjë për pozitën e kryeprokurorit të shtetit”, ka thënë profesori i së drejtës ndërkombëtare. Ai ka thënë gjithashtu se tash “duhet të rihapet konkursi”.

(Kosova Sot Online)