Ngritet aktakuzë për mashtrim ndaj kompanisë 'Sallahu' që po ndërtonte 'Rrugën A' në Prishtinë

  • A.P /
  • 03 November 2023 - 18:10
Ngritet aktakuzë për mashtrim ndaj kompanisë 'Sallahu' që po ndërtonte 'Rrugën A' në Prishtinë

Nën dyshimin për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurorimin publik ndaj dy personave dhe një kompanie, Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) sot ka njoftuar se ka ngritur një aktakuzë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Raportohet që kjo aktakuzë është ngritur ndaj kompanisë “Sallahu”, të cilës javën e kaluar Gjykata Komerciale ia pezulloi punët në “Rrugën A”, të cilin tender e kishte marrë nga Komuna e Prishtinës. Çka ndodhi?

Para disa orëve, Prokuroria Speciale tregoi se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj të pandehurve me incialet L.S., “SA.S., Sh.p.k.” dhe N.S.. Në njoftimin e Prokurorisë, njoftohet se të pandehurit dyshohen për veprën penale të “keqpërdorimit dhe mashtrimi në prokurim publik’’.

Ndërsa i dyshuari N.S. akuzohet për falsifikim të dokumenteve.

“I pandehuri ‘SA.S., Sh.p.k’ (Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuara), në cilësinë e personit juridik, me pronar dhe aksionar 100 % L.S., akuzohet për veprën penale ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik, nga neni 415 paragrafi 1, lidhur me nenin 37 të KPRK-së. Ndërkaq, i pandehuri i dytë N.S. akuzohet për veprën penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’, nga neni 390 paragrafi 1 të KRPK-së”, thuhet në njoftim, transmeton Nacionale.

Por kjo nuk është hera e parë që kompania Sallahu ka pasur problem me drejtësinë. Kujtojmë që Gjykata Komerciale e Prishtinës, javën që shkoi, kishte vendosur për pezullimin e ndërtimit të Rrugës A, pas ankesës që kishte bërë ndërrmarja “Pro & CO Group” kundër operatorit ekonomik “Sallahu”, i cili e kishte fituar tenderin milionësh.

“Gjykata po ashtu vlerësoi se shtyrja e ekzekutimit të vendimit dhe pezullimi i aktivitetit të prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e parë”, me numër të prokurimit 616-22-7096-5-1-2, iniciuar nga Autoriteti Kontraktues Komuna e Prishtinës, deri në shqyrtimin e pretendimeve të ngritura për shkeljet e pretenduara procedural është më se i dhuru që të ruhet interesi publik.” – theksohej në këtë vendim të Gjykatës Komerciale.

“Kjo pasi Paneli Shqyrtues nuk është marrë fare me pretendimin kryesor të ngritur nga ankuesi që ka të bëjë me shkelje të nenit 65 të LPP-së nga AK, duke e shpërblyer me kontratë Operatorin Ekonomik Sallahu SHPK Drejtori i të cilës është i dënuar për veprën penale Falsifikim i Dokumentit Zyrtar” – shtohej në këtë vendim.

Në lidhje me këtë vendim, kishte reaguar edhe kompania Sallahu.

“Nga faktet e prezantuara, shprehim shqetësimin tonë lidhur me zbatimin e gabuar të dispozitave materiale dhe procedurale, si dhe tejkalimit të kompetencave në procesin e vendimmarrjes lidhur me rastin në fjalë, pasi që në Arsyetimin e Aktvendimit shohim se Gjyqtarja Vlora Pacolli – Rexhepi, i ka falur besimin provave dhe të dhënave të pa vërteta – të rrejshme, dhe të paqëndrueshme të një pale të cilës i ka humbur legjitimiteti, duke paraqitur kështu një gjendje inekzistente” – thuhej në reagim.

Sigurisht, ndaj këtij vendimi kishte reaguar edhe Përparim Rama, kryetar i Prishtinës.

“Megjithëse nuk jam i prirur që të komentoj vendimet e gjyqësorit, në rastin konkret, nuk ka asnjë logjikë të vendoset masë e përkohshme në kundërshtim me interesin publik dhe ndaj një projekti që ndërlidhet edhe me mbrojtjen e jetës e shëndetit të mijëra qytetarëve të lagjes “Mati”, “Kalabria” dhe “Prishtina e Re”, të cilët me vite të tëra po vuajnë nga kundërmimi për shkak të mungesës së kolektorit. Andaj, shpresoj se Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale nuk do të lejojnë cenimin e interesit publik për interesa të ngushta dhe inate politike” – kishte shkruar Rama në reagimin e tij.

Në lidhje me pezullimin e punëve të “Rrugën A” kishte reaguar edhe Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, por edhe zyrtarë të tjerë të kësaj partie.

(Kosova Sot Online)