Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze dënon sulmin izraelit vdekjeprurës ndaj ambulancës në Gaza

  • S.A /
  • 04 November 2023 - 12:14
Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze dënon sulmin izraelit vdekjeprurës ndaj ambulancës në Gaza

Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze (PRCS) ka dënuar sulmin e një autokolone me ambulanca në Gaza nga forcat izraelite të premten, për të cilën thotë se vrau 15 persona dhe plagosi më shumë se 60 të tjerë, transmeton "Kosova Sot Online".

PRCS tha në një deklaratë të shtunën se një nga ambulancat e saj u godit “nga një raketë e gjuajtur nga forcat izraelite” rreth 2 metra nga hyrja e spitalit al-Shifa në qytetin e Gazës, raporton Agence France-Presse.

Sulmi rezultoi në vdekjen e 15 civilëve dhe plagosjen e 60 personave të tjerë, tha PRCS, duke pasqyruar shifrat e publikuara më herët nga ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi.

Një tjetër ambulancë, që i përkiste ministrisë së shëndetësisë, u “shënjestrua drejtpërdrejt” nga një raketë rreth një kilometër larg spitalit, duke shkaktuar lëndime dhe dëme, sipas saj.

PRCS, pjesë e Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, shtoi se shënjestrimi i qëllimshëm i ekipeve mjekësore përbën “një shkelje të rëndë të konventave të Gjenevës, një krim lufte”.

Ushtria izraelite tha se kishte nisur një sulm ajror mbi “një ambulancë që u identifikua nga forcat se po përdorej nga një celulë terroriste e Hamasit në afërsi të pozicionit të tyre në zonën e betejës”.

“Një numër i operativëve terroristë të Hamasit u vranë në sulm”, tha një deklaratë ushtarake.

Zyrtari i Hamasit, Izzat El Reshiq, tha se pretendimet se luftëtarët e tij ishin të pranishëm ishin “të pabaza”.

Në një deklaratë për incidentin, ushtria izraelite nuk dha asnjë provë për të mbështetur pohimin e saj se ambulanca ishte e lidhur me Hamasin, por tha se synonte të jepte informacion shtesë.

(Kosova Sot Online )