Alarmon Guterres: Gaza po shndërrohet në varrezë për fëmijët
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha më 6 nëntor se mbrojtja e civilëve “duhet të jetë parësore” në konfliktin mes Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit, duke paralajmëruar se Rripi i Gazës po shndërrohet “varrezë për fëmijët”.
“Ne duhet të veprojmë tani që të gjejmë një rrugëdalje nga ky shkatërrim brutal, i tmerrshëm dhe agonizues”, tha Guterres për gazetarët, duke bërë thirrje edhe një herë për një armëpushim humanitar.
Izraeli është zotuar se do të zhdukë Hamasi, që udhëheq me Rripin e Gazës, pasi militantët vranë 1.400 persona dhe morën 240 pengje gjatë sulmit të 7 tetorit. Izraeli ka shënjestruar Gazën nga ajri, e ka rrethuar dhe ka nisur sulm tokësor.
Numri i palestinezëve të vrarë në luftën mes Izraelit dhe grupit militant palestinez, Hamas, ka tejkaluar shifrën prej 10.000 personash, ka raportuar Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi. Sipas kësaj ministrie, mbi 4.100 viktima ishin fëmijë dhe 2.640 gra.
“Gaza po shndërrohet në varrezë për fëmijët. Qindra vajza dhe djem raportohet se vriten apo plagosen çdo ditë”, tha Guterres.
Ai tha se po kryhen shkelje të qarta të ligjit ndërkombëtar humanitar. Guterres tha se OKB-ja ka nevojë për 1.2 miliard dollarë për të ndihmuar në dërgimin e ndihmës për 2.7 milionë persona në Gazë dhe Bregun Perëndimor.
“Operacionet tokësore nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit dhe bombardimet e vazhdueshme po godasin civilët, spitalet, kampet e refugjatëve, xhamitë, kishat dhe ndërtesat e OKB-së, përfshirë vendstrehimet. Askush nuk është i sigurt”, tha Guterres.
“Në të njëjtën kohë, Hamasi dhe militantët e tjerë po përdorin civilët si mburoja njerëzore dhe po vazhdojnë të gjuajnë raketa drejt Izraelit”, shtoi ai.
Guterres thase 89 persona që punonin me Agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) janë vrarë në Gazë.
Kamionë me ndihmë po hyjnë në Gazë nga Egjipti përmes Rafah, që është pikëkalimi i vetëm që nuk është në kufi me Izraelin. Por, zyrtarët e OKB-së vazhdimisht kanë thënë se ndihma që po dërgohet për 2.3 milionë banorët e Gazës është e pamjaftueshme.
Sipas Guterres, mbi 400 kamionë me ndihma kanë hyrë në Gazë në dy javët e fundit, krahasuar me 500 në ditë sa janë dërguar para konfliktit. Ai tha se në këto ndihma nuk përfshihen furnizimet me karburante.
(Kosova Sot Online)