Së paku 3370 shqiptarë nga Lugina e Preshevës janë fshirë nga lista e votimit

  • E.K /
  • 08 November 2023 - 13:34
Së paku 3370 shqiptarë nga Lugina e Preshevës janë fshirë nga lista e votimit

Më 23 tetor, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) prezantoi një raport të titulluar “Pasivizimi i adresave të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës si praktikë diskriminuese” në Qendrën e Konferencave „Envoy” në Beograd. Në promovim folën autorët, Marko Milosavljevic, Shef i Kërkimit dhe Avokimit në YIHR Serbi, dhe Dr. Milos Rasic, PhD në Etnologji, dhe Relja Pantic, shef i departamentit të ankesave në shërbimin profesional të Komisionerit për Mbrojtjen e Barazisë.

Nga korriku deri në shtator të këtij viti, hulumtuesit nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi kanë kryer një anketë për pasivizimin e adresave të qytetarëve të Serbisë të përkatësisë etnike shqiptare në komunat e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës. Bazuar në intervistat, qasjen në vendimet e Ministrisë së Brendshme të Serbisë (MUP) për pasivizimin e adresave, si dhe të dhënat për ndryshimet në listat zgjedhore dhe intervistat me aktivistë vendas dhe parti politike, ata zbuluan se 72% e të anketuarit nuk kishin marrë vendim për pasivizimin, por ishin informuar vetëm verbalisht dhe se 80% e tyre kishin humbur të drejtën e votës, raporton Geopost

Dy treguesit bazë që Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë po shkel Ligjin për Vendbanim janë të dhënat jokonsistente dhe jotransparente për pasivizimin e policisë dhe fakti se së paku 3370 Shqiptarë janë fshirë  nga lista e votimit në Luginën e Preshevës në periudhën nga 2015 deri në 2022.

“Pasivizimi i adresave paraqet një lloj instrumenti politik që po keqpërdoret për të ndryshuar strukturën demografike dhe etnike të jugut të Serbisë,” tha Marko Milosavljevic në prezantimin e raportit. Ata që humbasin adresën gjatë këtij procesi janë të privuar nga pothuajse të gjitha të drejtat: ata nuk mund të marrin kartën e identitetit, të punësohen, të martohen, të dalin në zgjedhje ose të zgjidhen, të regjistrojnë një makinë apo të kenë pronë. Një paradoks i veçantë është se viktimat e abuzimit me procedurën e pasivizimit janë shpesh pronarë ose bashkëpronarë të pasurive të paluajtshme, banesave dhe shtëpive, për të cilat ata paguajnë rregullisht taksa ndaj shtetit. Edhe pse të drejtat e tyre themelore të njeriut janë qartazi në rrezik, zyrtarët serbë e kanë mohuar këtë për vite me radhë dhe nuk ka të dhëna të sakta zyrtare për numrin e personave të cilëve u është çaktivizuar adresa.

Relja Pantic, shef i departamentit të ankesave në shërbimin profesional të Komisionerit për Mbrojtjen e Barazisë, tha se në raportin e fundit vjetor të institucionit për ankesat për diskriminim, dominojnë ankesat për diskriminim në bazë të kombësisë, me 16%. Nga këto, vetëm një ankesë kishte të bënte me diskriminimin ndaj Shqiptarëve. Ai theksoi se kjo tregon se institucioni i Komisionerit duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje kësaj çështjeje, pasi hulumtimi i Nismës e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut tregon të dhëna të ndryshme dhe një shtrirje shumë më të gjerë të diskriminimit.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut i bën thirrje prokurorisë kompetente dhe organeve të pavarura shtetërore si Avokati i Popullit që të hetojnë plotësisht pretendimet në ankesë dhe të ndjekin penalisht përgjegjësit. Kërkojmë që Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë të publikojë statistikat e qytetarëve sipas përkatësisë etnike që kanë qenë pasive nga viti 2012 deri në vitin 2023 në të gjitha komunat e Serbisë, përfshirë Bujanocin, Preshevën dhe Medvegjën.

(Kosova Sot Online)