Ngritet aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Vetëvendosjes

  • A.P /
  • 08 November 2023 - 16:56
Ngritet aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Vetëvendosjes

Prokuroria Speciale sot ka njoftuar që ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave. Dy prej tyre janë zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka dhe asamblistit të kësaj partie në Prishtinë, Egzon Azemi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet ndaj Manxhukës dhe Azemit aktakuza është ngritur për veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.

Ata akuzohen se kanë nxitur urrejtje ndaj prokurorit Afrim Shefkiu dhe gjyqtarit Mentor Bajraktari lidhur me vendimin për ndryshimin e masës së sigurisë së Dejan Pantiqit, të dyshuar për “Terrorizëm në bashkëkryerje”

“Gjithashtu, të pandehurit AM dhe E.A. duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social ‘’Facebook’’, me dashje kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mos durim ndaj të dëmtuarve, prokurorit A.Sh dhe gjyqtarit M.B, lidhur me një vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit D.P.”

Në një përgjigje për Express, Manxhuka ka thënë se nuk është njoftuar për këtë aktakuzë.

“S’kam njoftim unë”, tha Manxhuka.

Ndërsa ndaj dy personave tjerë, Q.E dhe E.Z është ngritur aktakuzë për veprën penale “Kanosja”, pasi të njëjtit akuzohen se me dashje kanë kanosur prokurorin Shefkiu dhe gjyqtarin Bajraktari.

“Ndërsa, kundër të pandehurve Q.E dhe E.Z është ngritur aktakuzë për veprën penale “Kanosja” nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, pasi që të njëjtit me dashje kanë kanosur të dëmtuarit  A.Sh dhe M.B.”

Në njoftim thuhet se Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.

(Kosova Sot Online)