Gjykata godet Lulzim Bashën: Nuk e njeh si kryetar të PD

  • A.P /
  • 13 November 2023 - 22:25
Gjykata godet Lulzim Bashën: Nuk e njeh si kryetar të PD

Gjykata e Tiranës ka vendosur sot pezullimin e çështjes për shqyrtimin e kërkesës së Lulzim Bashës për miratimin e Kuvendit Kombëtar të 2 Shtatorit, duke pranuar kërkesën e grupit të deputetëve të drejtuar nga Gazment Bardhi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Gjyqtari Niko Rapi, ka konstatuar se pa u zgjidhur konflikti që është në Gjykatën e Lartë mbi Kuvendin Kombëtar të 11 Dhjetorit, nuk mund të zhvillohet dhe të konsiderohet i vlefshëm asnjë Kuvend Kombëtar i mëpasshëm apo Statut i ndryshuar.

Në këtë mënyrë Statuti i dalë në 2 Shtator, përmes të cilit Lulzim Basha u caktua edhe Kryetar i Grupit Parlamentar nuk është njohur nga gjykata.

Grupi i deputetëve të mandatuar nga Këshilli Kombëtar i thirrur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi është njohur si palë nga Gjykata e Tiranës, duke përfaqësuar kështu në gjykim Partinë Demokratike të Shqipërisë. Ata kanë kërkuar nga gjykata pezullimim e çështjes, kërkesë që është pranuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë.

(Kosova Sot Online)