Tërmkolli: Unë me punu për zuzen e sorosave që e kanë grabitë LDK-në kurrë jo
Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka reaguar ashpër ndaj listës së kandidatëve për deputetë nga radhët e LDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Përmes një statusi të publikuar në llogarinë e saj në Facebook, Tërmkolli ka ironizuar me drejtuesit aktualë të partisë, duke shprehur pakënaqësi të thellë për zhvillimet brenda LDK-së dhe për mënyrën se si, sipas saj, po udhëhiqet partia.
“Dmth, unë Melihate Tërmkolli, ndër të parët e LDK-së, në themele të saj e para saj, me një jetë të tërë plot sakrifica, punë e kontribute për liri e shtet, me plot rreziqe jetësore në të gjitha fazat politike, gjithherë me qëndrime të qarta politike kombëtare, me punu sot për zuzen e sorosave që e kanë grabitë LDK-n, për Lulmira, Vjosa, e krejt udhëheqjen e saj, për tuxharitë e multi milionat e tyre a?! E valla jo!”, ka shkruar ajo.
Ky reagim vjen në kohën kur brenda Lidhja Demokratike e Kosovës po vazhdojnë debatet dhe pakënaqësitë lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe drejtimin politik të partisë.
(Kosova Sot Online)
