Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë projektbuxhetin për vitin 2024

  • A.P /
  • 16 November 2023 - 22:50
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë projektbuxhetin për vitin 2024

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë projektbuxhetin për vitin 2024, me 62 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Me akuza e kundër akuza Qeveri-opozitë është përcjellë seanca e sotme maratonike plenare prej më shumë se dhjetë orëve për shqyrtimin të projektbuxhetit.

Gjatë shqyrtimit të parë të projektbuxhetit për 2024, kryeministri Albin Kurti në seancë plenare tha se në buxhetin e paraparë prej më shumë se 3.3 miliardë euro do të ketë nëntë milionë euro më shumë investime kapitale se në vitin aktual.

Kurti deklaroi se buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë i mbrojtjes dhe sigurisë, ku kanë paraparë 370 milionë euro. Ai theksoi se janë planifikuar tre milionë euro për Luginën e Preshevës dhe 742 milionë për komunat e Kosovës.

Kurti po ashtu tha se buxheti i vitit të ardhshëm është “buxhet i komunave”, ku theksoi se tre milionë euro janë paraparë për Luginën e Preshevës.

Në prezantimin e projektbuxhetit, Kurti shtoi se kanë paraparë ndarjen e mbi 90 milionë euro për nënat lehona dhe fëmijët nën 16-vjeç. Shefi i ekzekutivit u shpreh se do të ketë investime të reja kapitale në infrastrukturë rrugore dhe fusha të tjera.

Kryeministri Kurti theksoi se buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë prioritet sa i përket nevojave të qytetarëve dhe për një ekonomi më të fortë. 

Përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë bërë me dije se nuk do ta përkrahin projektbuxhetin, pasi sipas tyre, nuk paraqet interesat e qytetarëve të Kosovës.

(Kosova Sot Online)