Kurti ka përkujtuar Diturije Deliun, foshnjën e cila vdiq pas masakrës në Abri të Epërme

  • A.P /
  • 19 November 2023 - 11:36
Kurti ka përkujtuar Diturije Deliun, foshnjën e cila vdiq pas masakrës në Abri të Epërme

Diturije Deliun, foshnjën e cila i mbijetoi masakrës së 26 shtatorit në Abri të Epërme por vdiq më 19 nëntor, e ka përkujtuar, kryeministri Albin Kurti, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”

Kurti ka thënë se Diturisë forcat serbe ia masakruan 22 anëtarë të familjes.

“Diturije Deliu do të festonte sivjet ditëlindjen e 25-të. Ishte e vetmja që i mbijetoi masakrës së 26 shtatorit 1998. I kishte gjashtë javë. Forcat e armatosura serbe ia masakruan 22 anëtarë të familjes. Ajo u gjetë e gjallë. Fshehur nën trupin e nënës Lumnije. Nënës mburojë. E mbijetuara e masakrës në Abri të Epërme nuk mbijetoi. Ajo vdiq më 19 nëntor, rrugës për në fshatin Tërdec, gjersa gjyshi i saj, Bajram Fejza dhe halla e saj, Bedrie Deliu Fejza, po e dërgonin për në spitalin ushatarak të UÇK-së. I kishte vetëm 95 ditë.”

Kurti ka shkruar se krimet e Serbisë në Kosovë janë të paharruara e të pafalshme.

“Diturija është foshnja që fle. Përjetësisht. Kështu është përjetësuar në pllakën përkujtimore. I përjetshëm është kujtimi për të. Të paharruara e të pafalshme janë krimet e Serbisë në Kosovë.”

(Kosova Sot Online)