Bislimi: Festa e LDK-së do të ishte më madhështore sikur në Kuvend do të debatoja me Abdixhikun

  • A.P /
  • 19 November 2023 - 16:34
Bislimi: Festa e LDK-së do të ishte më madhështore sikur në Kuvend do të debatoja me Abdixhikun

Faton Bislimi deshi të kandidonte për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi tha se besonte që statuti i partisë ia lejonte këtë. Ai e quajti antistatutar faktin që në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së i thanë se statuti s’e lejon atë të kandidojë në atë mënyrë, pa qenë delegat, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Bislimi tha se kjo “nuk do të thotë që e pamundëson vazhdimin e punës sime për të mirën e Lidhjes Demokratike të Kosovës” dhe “për të mirën e qytretarëve të Kosovës”.

“Programi im për LDK-në që është dashur t’i paraqitet delegatëve të Kuvendit do të ishte mënyra më e mirë për të treguar LDK-ja që demokracia e brendshme është virtyt, aset dhe është themel mbi të cilin ndërtohet një parti politike”, tha ai.

“Nuk ka rugovizëm më të madh se urtësia e përbashkimit, sesa ofrimi i mundësive dhe ikluziviteti e jo përjashtimi, e jo kuvende që konfirmojnë dhe nuk zgjedhin. Zgjedhja vetëvetiu nënkupton ballafaqim. Ballafaqim, kundërshtitë dhe ato të përbashkëtat janë sharmi më i mirë i demokracisë”, tha Bislimi.

Ai tha se “festa e LDK-së do të ishte më madhështore” sikur në Kuvendin Zgjedhor do të debatonin ai dhe kryetari i rizgjedhur, Lumir Abdxhiku.

“Nëse thoni që ka pasur program kushdo tjetër, qoftë edhe nga Abdixhiku, ma tregoni ta shoh edhe unë se nuk e kam parë… LDK-ja është shtëpi e madhe politike”, tha Bislimi.

“Ajo që nuk është lejuar të ndodh sot është dëshirë e atyre që mbajnë pozita titullare të saj. LDK-ja është më e madhe se titullarët e saj. Ka vetëm një emër që nuk e tejkalon askush dhe ai është Ibrahim Rugova”, tha ai.

(Kosova Sot Online)