Vajza e mësuesit Halit Geci rrëfen në lot: U nis i gjallë e u kthye i vdekur

  • A.P /
  • 28 November 2023 - 18:18
Vajza e mësuesit Halit Geci rrëfen në lot: U nis i gjallë e u kthye i vdekur

Valbona Geci e bija e mësuesit hero, Halit Geci, ka rrëfyer për herën e fundit kur e ka parë babin e saj para se ai të vritej nga forcat serbe, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Valbona ka rrëfyer për një bisedë që kanë pasur bashkë me babain e saj dhe axhën, pak para vrasjes.

“Atë ditë për dallim nga ditët tjera, doli më herët. U përgatit dhe doli më herët. Por s’më harrohet momenti, kur doli tek dyert, u kthye dhe një herë, shikoi rreth oborrit, dhe më pas doli. U kthye dhe e pyeta çfarë po ndodh. Më ka thënë asgjë dhe ka vazhduar”, ka treguar ajo.

Më pas tregon ajo, babi i saj Halit Geci e kishte parë duke e pritur autobusin, dhe i kishte thënë të kthehej në shtëpi, meqë situata ishte përkeqësuar.

“Në ora 12:30 e kam pasur autobusin, kam qenë në vitin e parë në shkollë të mesme. Më ka pa duke e pritur autobusin dhe më ka thënë kthehu në shtëpi. Ai ka qenë momenti i fundit kur e kam parë të gjallë”, ka thënë ajo e emocionuar.

Valbona ka thënë se më pas është kthyer në shtëpi dhe rreth orës një të ditës kanë marrë vesh për plagosjen e ndodhur në shkollën e fshatit .

“Unë u ktheva në shtëpi, vetëm. Nëna ishte tek dajtë sepse ka pasur rast vdekje, vëllai në Skenderaj dhe unë shkova tek axhallarët e mi. Ne nuk dinim asgjë çfarë po ndodhte, deri diku rreth orës një, dhe na kanë lajmëru që është plagosur mësuesi Shaban Rraci bashkë me babain, por s’është plagosur shumë rëndë.”, ka thënë ajo e emocionuar.

Për lajmin e vdekjes, Valbona tregon se e kishte marrë nga xhaxhai i saj tashmë i ndjerë, Avdyli, pak para mes natës.

“Rreth orës 11 të mbrëmjes ka ardhur axha im tashmë i ndjerë Avdyli dhe më ka thënë bonu e fortë sepse Haliti na la. Ky ka qenë një moment shumë i vështirë. U nis i gjallë e u kthy i vdekur.”, ka thënë ajo në lotë.

(Kosova Sot Online)