Bislimi për raportin e KE-së: Sipas analizës sonë, këto të arritura duhej të vlerësoheshin më shumë

  • S.A /
  • 30 November 2023 - 12:31
Bislimi për raportin e KE-së: Sipas analizës sonë, këto të arritura duhej të vlerësoheshin më shumë

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi përmendi vlerësimet më pozitive të raportit të Komisionit Europian për vendin, në debatin parlamentar në Kuvendin e Kosovës.

Bislimi tha se disa punë të Qeverisë “është dashur të vlerësohen e të theksohen më shumë” në raport, transmeton "Kosova Sot Online ".

“Ky raport, mes tjerash, konstaton se Qeveria ka vazhduar me agjendën e saj ambicioze të reformave drejt BE-së”, tha fillimisht Bislimi. Raporti dëshmon arritje të rëndësishme në disa çështje, tha ai.

Më pas përmendi analizën e Qeverosë mbi raportin.

“Sipas analizës sonë, janë disa arritje në segmentin e kritereve politike, më përkatësisht në fushën e qeverisjes, drejtësisë dhe sundimit të ligjit, por edhe luftimit të korrupsionit, të cilat është dashur të vlerësohen e të theksohen më shumë në këtë raport, meqë janë të arritura me shumë rëndësi për një shoqëri demokratike, dhe për më tepër, janë rekomanduar në vetë raportin e vitit të kaluar”, tha Bislimi.

Zëvendëskryeministri përmendi disa nga punët, që sipas tij, do të duhej të vlerësoheshin më shumë. “Disa nga to janë: ligji për Qeverinë, ligji për Prokurorinë e Shtetit, funksionalizimi i Gjykatës Komerciale, rritja e ndjeshme e numrit të gjykatësve dhe prokurorëve si dhe caktimi automatik i lëndëve, ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna në baza gjinore, ndihma juridike falas, e shumë të tjera”, tha ai.

(Kosova Sot Online )