Lekaj para gjyqit: Thotë se projekti i autostradës “Arbën Xhaferi” ishte në rrezik të ndërpritet, pasi MI-ja e kaluar s’i ka bërë pagesat me rregull

  • S.A /
  • 05 December 2023 - 12:10
Lekaj para gjyqit: Thotë se projekti i autostradës “Arbën Xhaferi” ishte në rrezik të ndërpritet, pasi MI-ja e kaluar s’i ka bërë pagesat me rregull

Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “53-milionëshi”, ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se projekti i autostradës “Arbën Xhaferi” ishte në rrezik të ndërpritet pasi Ministria e kaluar, nuk i ka bërë pagesat me rregull, transmeton Kosova Sot Online ".

Këtë deklarim, Lekaj e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Musa Damati, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në rastin e njohur si “53 milionëshi”, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, si dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit.

Në këtë seancë, Lekaj e sqaroi kronologjinë e pagesës së bërë prej 53 milionë eurove.

“Me përgjegjësi të plotë morale para qytetarëve e them që sot po ky Pal, bashkë me të akuzuarit për mosveprim ishim para jush dhe me dëme tepër tepër më të mëdha sepse nëse dikush vetëm e ka lexuar historiatin e kompanisë “Bechtel & Enka”, e shihni qartë se çfarë kompanie serioze është dhe e shihni qartë se Arbirtrazhin e ka fitu Kroacia 70 milionë ruanin me mbi 800 milionë dhe shumë vende të tjera dhe ne duke u bazuar në këtë, ka kërkuar kryeministri që të komunikojmë”, tha Lekaj.

Seanca është duke vazhduar.

Në seancën fillestare të mbajtur më 4 maj 2022, Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprën penale që iu vihet në barrë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2022, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit.

Ndërsa, më 9 shkurt 2022, PSRK njoftoi se lidhur me këtë rast, më ç8 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

(Kosova Sot Online )