
Shoqërohet në polici Aleksandar Arsenijeviq – i shqiptohen dy tiketa dhe i konfiskohen targat

Policia e Kosovës në veri, sot ka shoqëruar për në stacionin policor, Aleksandar Arsenijeviq, udhëheqës i Iniciativës Qytetare “Mbijetesa serbe”, përcjell “Kosova Sot Online”.
Rastin e ka konfirmuar ushtruesi i detyrës së Drjetorit të Policisë për Veri, Veton Elshani, duke thënë se Arsenijeviq është shoqëruar në Polici dhe se aty i janë dhënë dy tiketa, një për moszbatim të urdhrave të Policit dhe tjetra për mungesë të regjistrimit të automjetit.
“E kemi shoqërua deri në stacion ku i janë dhënë dy tiketa njëra për moszbatim të urdhrave të Policit e tjetra për mungesë regjistrimi të Automjetit”, ka thënë Elshani.
Elshani ka thënë se të njëjtit i janë konfiskuar targat e veturës për shkak të skadimit të regjistrimit dhe më pas është liruar.
“I janë konfiskuar targat dhe i njëjti është liruar”, ka thënë Elshani, duke sqaruar se vetura ka qenë me tabela të Republikës së Kosovës.
Ndryshe Arsenijeviq në faqen e tij në Facebook, ka publikuar pamjet nga momenti i shoqërimit të tij nga ana e policisë.
(Kosova Sot Online)