
Rama: Prishtina është shpallë 'Qytet Evropian i Sportit' për vitin 2024!

Prishtina është zgjedhur “Qyteti Europian i Sportit” për vitin 2024, në një ceremoni të veçantë në selinë e Parlamentit Europian në Bruksel, ka njoftuar kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Sipas Ramës, kjo do ta bëjë Prishtinën destinacion dhe qendër të shumë aktiviteteve sportive që do të mbahen gjithë vitin 2024.
“Jam i lumtur të ndaj me ju lajmin fantastik se Prishtina është shpallë Qytet Evropian i Sportit për vitin 2024! Ky titull është dëshmi e angazhimit tonë të palëkundur për të krijuar një qytet që përqafon jetën e shëndetshme, gjithëpërfshirjen dhe mikpritjen. Na pret një vit i mbushur me ngjarje sportive, angazhim të komunitetit dhe investime në infrastrukturën sportive”, ka thënë Rama.
Bashkë me Kryetarin ishin te pranishëm edhe Drejtori për Sport, Granit Rugova dhe skitaren e parë nga Kosova që mori pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”, Kiana Kryeziu, në një ceremoni të veçantë në selinë e Parlamentit Europian në Bruksel.
(Kosova Sot Online)