Zbulohen detaje: Ja kush tentoj ta sulmojë Granit Plavën në burg

  • A.P /
  • 10 December 2023 - 15:33
Zbulohen detaje: Ja kush tentoj  ta sulmojë Granit Plavën në burg

Drejtori i Shërbimit Korrektues, Ismail Dibrani, ka deklaruar se  Granit Plava, i cili akuzohet se e kreu vrasjen e Liridona Ademajt, është tentuar të sulmohet në qendrën e paraburgimit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ai ka zbuluar detaje, duke theksuar se stafi i qendrës së paraburgimit ka reaguar menjëherë për ta parandaluar rrahjen.

“Nuk ka pasur rrahje. Ka pasur vetëm tentim-sulm dhe stafi ka reaguar menjëherë”, tha Dibrani, duke shtuar se “është parandaluar rrahja”.

Ai mohoi edhe disa raportime se Plavës i është gjetur një litar, ndërsa tha se “në asnjë rrethanë nuk ka pasur tentim për vetëvrasje”.

“Në momentin që stafi ka vërejtur se e ka dëmtuar batanijën, ka reaguar”, tha drejtori i Shërbimit Korrektues.

Gjykata Themelore e Prishtinës para një jave ka bërë të ditur “dyshimin e bazuar” për planin e Naim Murselit për ta privuar nga jeta “në mënyrë dinake” bashkëshorten e tij. Në marrëveshje me Naim Murselin, Gjykata thotë se Granit Plava me maskë në kokë dhe revole në dorë e qëlloi me plumb në qafë Liridona Ademajn, pasi bashkëshorti i saj dhe fëmijët u larguan “kinse për të ikur”. Dorasin, sipas Gjykatës, Naim Murseli e kishte pajisur edhe me armën me të cilën ishte kryer krimi.

Naim Murseli akuzohet për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, Granit Plava për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa Kushtrim Kokalla për marrëveshje për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.

(Kosova Sot Online)