Prokuroria Speciale e fton serbin e akuzuar për krime lufte që të paraqitet në gjykatë

  • E.K /
  • 12 December 2023 - 13:56
Prokuroria Speciale e fton serbin e akuzuar për krime lufte që të paraqitet në gjykatë

Prokuroria Speciale e ka ftuar të akuzuarin Dejan Raciq, ish pjesëtar i forcave rezervë ushtarake të Serbisë të marrë pjesë në seancën fillestare më 20 shkurt të vitit 2024 pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “krime lufte kundër popullsisë civile”, përcjell “Kosova Sot Online”.

Në njoftimin e prokurorisë i bëhet thirrje Raciqit që të dorëzohet dhe të paraqitet sa më pranë Gjykatën Themelore në Prishtinë, që kjo çështje, sipas tyre, të zhvillohet me prezencën e tij.

“Ftohet i akuzuari Dejan Raciq, nga i ati Janko, i lindur në fshatin Videj, Komuna Klinë, me vendbanim të panjohur, me nacionalitet serb, ish pjesëtarë i forcave rezervë ushtarake të Serbisë, me numër personal 0101974932041 i Punëve të Brendshme në Klinë, të marrë pjesë në seancë fillestare të caktuar më datë 20.02.2024, e martë, në ora 9:30, pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë –Departamenti Special, për çështje penale të proceduar sipas aktakuzës së prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, PPS.nr.17.2018 të datës 27.11.2023, për shkak se i njëjti dyshohet të ketë kryer veprën penale Krime Lufte kundër popullsisë civile nga neni 142 të Kodit penal të Jugosllavisë, aktualisht i inkriminuar si Krimet kundër njerëzimit nga neni 143 paragrafi, 1 nënparagrafi 1.7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

“Konform nenit 303 paragrafi 8 të KPPRK-së, gjykata i bënë thirrje çdo personi që ka informacion relevant për vendndodhjen e të akuzuarit Dejan Raciq, që t’ia komunikojë atë informacion policisë së Kosovës, me qëllim të sigurimit të prezencës së akuzuarit Dejan Raciq, në këtë çështje juridiko penale”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

(Kosova Sot Online)