Trump pritet të zhvillojë bisedime për Iranin me zyrtarë të lartë

  • A.P /
  • 27 April 2026 - 15:15
Trump pritet të zhvillojë bisedime për Iranin me zyrtarë të lartë

Presidenti Donald Trump pritet të zhvillojë të hënën një takim me këshilltarët e tij të sigurisë për situatën me Iranin, ndërsa bisedimet mes dy palëve kanë ngecur, raportojnë mediat amerikane.

Sipas Axios dhe ABC News, një propozim i Teheranit nuk ka kaluar kërkesat e SHBA-së, pasi përfshinte hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe heqjen e bllokadës detare, ndërsa çështja bërthamore do të trajtohej më vonë.

Irani ka fajësuar Uashingtonin për dështimin e negociatave, duke thënë se kërkesat amerikane ishin tepër të ashpra. Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi tha se SHBA ka penguar progresin në bisedime.

Tensionet u rritën edhe pasi Trump anuloi dërgimin e një delegacioni në Pakistan, që kishte ngjallur shpresa për rifillim të dialogut. Ai ka deklaruar se Irani mund të kontaktojë SHBA-në nëse dëshiron bisedime.

Ndërkohë, raportohet se Irani ka dërguar mesazhe përmes Pakistanit me kushtet e tij, por ato nuk janë pjesë e negociatave zyrtare.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa ndërmjetës si Pakistani, Omani dhe Rusia po vazhdojnë përpjekjet diplomatike.

(Kosova Sot Online)