
A janë të mjaftueshme 100 euro për fëmijët dhe pensionistët e Kosovës në prag të fundvitit?

Për ndarjen e nga 100 eurove për pensionistët dhe fëmijët në prag të fundvitit, e ka miratuar propozimin Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij para kabinetit qeveritar tha se kanë vendosur që të gjithë fëmijët pa dallim të përfitojnë nga kjo skemë.
"Sivjet kemi vendosur që të gjithë fëmijët pa dallim të përfitojnë nga skema dhe shuma e përfitimit të jetë 100 euro. Mirëpo, planifikojmë që kjo skemë të sofistikohet edhe më tutje duke filluar zbatimin edhe të deklarimit të të ardhurave vjetore nga të gjithë prindërit përfitues, ashtu që të ketë edhe dallim në mbështetje, për ata që kanë më pak të ardhura, natyrisht të përfitojnë më shumë", theksoi Kurti para anëtarëve të kabinetit qeveritar.
Ai po ashtu tha se e njëjta shumë do të ndahet për kategorinë e pensionistëve në Republikën e Kosovës.
"Në këtë fundvit nuk kemi harruar as pensionistët tanë, po ashtu do të përkujdesemi me një vendim tjetër në këtë mbledhje. Prandaj, për të gjithë pension marrësit, këtë fundvit me qëllim të lehtësimit të kostos së jetesës, për këto kategori të cenueshme do të miratojmë shtesën e njëhershme prej 100 euro, përveç pensionit të rregullt mujor që marrin", tha Kurti.
(Kosova Sot Online)