Maqedonci takohet me homologun slloven, thotë se do të shtojnë bashkëpunimin e FSK-së me forcat sllovene

  • E.k /
  • 22 December 2023 - 13:51
Maqedonci takohet me homologun slloven, thotë se do të shtojnë bashkëpunimin e FSK-së me forcat sllovene

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sot ka pritur në takim bilateral ministrin e mbrojtjes të Sllovenisë, Marjan Sarec, transmeton “Kosova Sot Online”.

Siç njofton Ministria, gjatë takimit diskutuam ministrat rreth situatës së sigurisë në vend, por dhe më gjerë.

“Theksova se sulmi i 24 shtatorit është shqetësues për faktin se prapa tij qëndrojnë strukturat shtetërore të Serbisë, andaj duhet trajtuar me shumë vëmendje si veprim që tregon hapur tendencën për destabilizimin e vendit, rrjedhimisht të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Maqedonci.

“Shpreha qëndrimin e Kosovës sa i përket luftës në Ukrainë dhe synimin e qartë që kemi si shtet për anëtarësim në BE, A5 dhe në NATO. Nga homologu Sarec kërkova mbështetjen e Sllovenisë në rrugëtimin e Kosovës për anëtarësim në organizatat euroatlantike, për të cilin objektiv ministri garantoi mbështetjen e padiskutueshme të shtetit slloven. E kaluara e përbashkët dhe qëndrimi pro vlerave perëndimore janë lidhja e pashkëputshme ndërmjet dy shteteve tona”.

(Kosova Sot Online)