Dorëheqja e presidentes së Harvardit, hedh dritë tek përdorimi i plagjiarizmit

  • A.P /
  • 03 January 2024 - 18:53
Dorëheqja e presidentes së Harvardit, hedh dritë tek përdorimi i plagjiarizmit

Dorëheqja e presidentes së Universitetit të Harvardit, Claudine Gay po hedh dritë mbi përdorimin e zbulimit të rasteve të plagjiaturës, një mëkat kardinal në akademi, si një armë të re të mundshme nga konservatorët për të goditur arsimin e lartë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Prof. Gay njoftoi largimin nga detyra të martën pas javësh të tëra akuzash në rritje se kishte përdorur paragrafë të shkruar nga studiues të tjerë në disertacionin e saj të doktoraturës dhe artikuj akademikë. Akuzat u shfaqën mes reagimit të ashpër ndaj dëshmisë së saj në Kongres lidhur me antisemitizmin në Harvard.

Akuzat për plagjiaturë nuk erdhën nga kolegët e saj akademikë, por nga kundërshtarët e saj politikë, me në krye konservatorët që u përpoqën ta rrëzonin presidenten e Harvardit dhe e vunë nën lupën e vëzhgimit të gjithë karrierën e saj, në përpjekje për të identifikuar gabime fatale.

Prof. Gay ka një doktoraturë në shkenca politike, ka qenë profesore në universitetet e Harvardit dhe Stanfordit dhe drejtonte departamentin më të madh të Harvardit përpara se të emërohej si presidente e tij.

Kundërshtarët e saj thanë se ajo u zgjodh në atë post kryesisht sepse ishte afrikano-amerikane.

Christopher Rufo, një aktivist konservator që ndihmoi në orkestrimin e përpjekjes për shkarkimin e saj, e cilësoi largimin e saj si një fitore në fushatën e tij kundër institucioneve elitare të arsimit të lartë.

(Kosova Sot Online)