Kërkesën për ndryshim agjende Kosova nuk ia aprovon Porfirijes

  • A.P /
  • 05 January 2024 - 19:40
Kërkesën për ndryshim agjende Kosova nuk ia aprovon Porfirijes

Më 3 janar të këtij viti ka filluar një vizitë zyrtare në Kosovë, kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Patriarku Porfirije, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, ka konfirmuar se kanë sqaruar se Partirarku i KOS, Porfirije, bazuar në marrëveshjen e Brukselit dhe procedurave zyrtare të Republikës së Kosovës, më 27 dhjetor kishte kërkuar lejimin e vizitës së tij në prag të Krishtlindjeve Ortodokse.

Ministria e Jashtme ka thënë se kërkesa e tij është aprovuar me udhëzime të qarta për përmbajtje nga gjuha e urrjetjes dhe që t’i përmbahet agjendës së vizitës.

“Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije sipas marrëveshjes së Brukselit dhe procedurave zyrtare të Republikës së Kosovës, me datë 27.12.2023 ka kërkuar lejimin e vizitës së tij në Kosovë në prag të shënimit të Krishtlindjeve Ortodokse.Pas shqyrtimit, kërkesa është aprovuar me udhëzime të qarta që delegacioni të përmbahet nga përdorimi i gjuhës së urrejtjes në raport me qytetarët dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe t’i përmbahet agjendës së vizitës”, kanë thënë nga MPJD.

Nga Ministria që drejton ministrja Donika Gërvalla-Schwarz kanë thënë se ndonëse Kosova ka treguar një qasje konstruktive në raport me kërkesën e Porfirije, Serbia e ka bërë të kundërtën duke refuzuar kërkesën e kreut të MPB-së, Xhelal Sveçla, për vizitë në Luginën e Preshevës.

“Nga ana tjetër, përkundër veprimeve tona konstruktive, Serbia ka refuzuar pa asnjë arsyetim kërkesën e Ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës për lejimin e vizitës së tij në Luginën e Preshevës.  Një refuzimi i tillë dëshmon destruktivitetin e Serbisë dhe mosrespektimin e marrëveshjeve të arritura më pare”, kanë potencuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Ndërkohë kanë treguar se patriarku serb Porfirije, gjatë vizitës në Kosovë në mënyrë joformale kanë kërkuar ndryshim afatshkurte të agjendës, dhe kanë treguar se një kërkesë të tillë Kosova e ka refuzuar.

“Gjatë realizimit të vizitës, delegacioni në fjalë ndërkohë në mënyrë jo formale ka kërkuar ndryshimin afatshkurtër të agjendës, mirëpo nga Republika e Kosovës një kërkesë e tillë është refuzuar.Republika e Kosovës qëndron e përkushtuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, duke respektuar të drejtën për lëvizje të lirë dhe liritë fetare”, kanë përfunduar nga MPJD.

(Kosova Sot Online)