Vrasja u shkaktua pas një konflikti në komunikacion, dëshmitari: I akuzuari kishte dalë me thikë në dorë nga vetura

  • S.A /
  • 13 January 2024 - 08:07
Vrasja u shkaktua pas  një konflikti në komunikacion, dëshmitari: I akuzuari kishte dalë me thikë në dorë nga vetura

Dëshmitari Endrit Rrustemi gjatë dhënies së dëshmisë së tij në gjykimin ndaj Orges Zhugollit, i cili ngarkohet se kishte privuar nga jeta tani të ndjerin A.Zh., për shkak të një konflikti që kishin pasur në komunikacion, tha se i akuzuari kishte dalë me thikë nga vetura.

“Po e ka pas thikën, me thikë u dalë prej kerrit”, tha dëshmitari Rrustemi, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Bukurie Gjonbalaj, transmeton "Kosova Sot Online".

Dëshmitari tha se të akuzuarin Zhugolli nuk e njihte para këtij rasti, ndërsa tani të ndjerin A.Zh e kishte shok, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Rrustemi tha se qëndron pranë deklaratës së dhënë më herët, ndërsa shtoi se ai së bashku me tani të ndjerin dhe disa persona të tjerë, ditën kritike ishin nisur në drejtim të Prishtinës.

Sipas dëshmitarit Rrustemi, i akuzuari Zhugolli kishte zënë dy shiritat e rrugës, e pasi që A.Zh ia kishte bërë me drita dhe e kishte tejkaluar, i akuzuari kishte vazhduar t’i blindonte me drita, ku më pas tani i ndjeri ishte ndalur tek një furrë në fshatin Gllamnik.

Dëshmitari Rrustemi tha se arsyeja pse ishin ndalur, kishte qenë se A.Zh kishte menduar se me veturën “Golf 2” kishte qenë djali i xhaxhait të tij, por që sapo i akuzuari Zhugolli kishte dalë nga vetura, kishte filluar me sharje dhe kishte shkuar në drejtim të tyre.

Ai tha se në momentin kur i akuzuari e kishte goditur tani të ndjerin, ky i fundit kishte kërkuar ta dërgonin në spital.

“Pas goditjes veç e majke gjoksin A.Zh (tani i ndjeri) edhe ma bojke, a munesh me m’dërgu në spital”, tha dëshmitari Rrustemi, duke shtuar se kishte tentuar ta largonte të akuzuarin Zhugolli para se ta godiste të ndjerin.

“Më kujtohet se e kom largu Orgesin, veç e kom shty pak se ia kom pa thikën, e kam pas vllëanë aty e kom shty para se me goditë A.Zh”, tha Rrustemi.

Po ashtu, dëshmitari Rrustemi tha se i akuzuari Zhugolli pas goditjes së tani të ndjerit, kishte hipur në veturë dhe kishte ikur menjëherë.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Zhugolli, avokatit Naim Rudari, dëshmitari Rrustemi tha se kishin qenë me veturë “Golf 6”, të cilën e drejtonte A.Zh dhe se në atë veturë kishin qenë pesë persona.

Pasi avokati Rudari e ballafaqoi me deklaratën e dhënë në Prokurori, dëshmitari tha se kishte qenë i ulur në ulësen prapa e jo siç shkruante në atë deklaratë, pasi që sipas tij nuk e dinte se kishte thënë ashtu në Prokurori.

Gjatë paraqitjes së pyetjeve nga avokati Rudari, prokurorja Gjonbalaj kundërshtoi duke thënë se mbrojtja i bënte presion dëshmitarit, por avokati tha se kishin CD-në, provë materiale që thotë krejt të kundërtën se çka deklaronte dëshmitari.

Më pas, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Kushtrim Shyti udhëzoi avokatin Rudari që të parashtronte pyetje të tërthorta, ku më pas dëshmitari Rrustemi tha se ai dhe shokët e tij nuk e kishin ofenduar të akuzuarin Zhugolli.

Avokati Rudari pasi që përfundoi pyetjet për dëshmitarin, deklaroi se kishte vërejtje në dëshminë e tij, pasi që sipas tij ai ishte plotësisht i pasaktë dhe se vërejtjet e tyre së bashku me provat që ishin kundërthënëse me deklarimin e dëshmitarit, do t’ia referonin Prokurorisë për deklarim të rremë dhe se do t’ia dërgonte trupit gjykues për t’ia hequr statusin e dëshmitarit në këtë çështje.

Dëshmitari Rrustemi tha se me të akuzuarin Zhugolli kishte qenë edhe një djalë, që sipas tij ishte i moshës së mitur dhe se nuk kishte marrë asnjë veprim për ta ndaluar të akuzuarin.

Ai tha se sa ishte në dijeni, tani i ndjeri A.Zh dhe i akuzuari Zhugolli nuk ishin njohur më herët dhe që ai nuk e dinte arsyen pse A.Zh u godit në mesin e pesë personave që ishin aty.

Dëshmitari tha se veturën që e drejtonte tani i ndjeri A.Zh, e kishte marrë me qira, ndërsa theksoi se e kishte shok të mirë dhe se ai nuk kishte pasur probleme me askënd, pasi që ishte djalë i sjellshëm.

Paraprakisht, seanca filloi rishtazi pasi që sot në vend të gjykatësit Alban Ajvazi, i cili kishte qenë zëvendësim në seancën e kaluar, ishte gjykatësja Fatime Dermaku, anëtare e rregullt e trupit gjykues, e cila kishte munguar seancën e 6 nëntorit 2023 pasi që kishte qenë në udhëtim zyrtar.

Pasi që ishte fundi i orarit, seanca e sotme u ndërpre, ndërsa seanca e radhës pritet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, më 12 shtator 2023 afër marketit “Melis”, që gjendet në fshatin Gllamnik të Podujevës, i pandehuri Orges Zhugolli kishte privuar nga jeta tani të ndjerin A.Zh., për shkak të një konflikti që kanë pasur në komunikacion.

(Kosova Sot Online )