Kur mund të kryhet peticioni për shkarkimin e Atiqit?

  • A.P /
  • 17 January 2024 - 19:12
Kur mund të kryhet peticioni për shkarkimin e Atiqit?

Zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Skender Sadiku, ka deklaruar se nënshkrimet e nevojshme për peticion mund të mblidhen nesër, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai ka thënë se afati është deri më 22 janar, mirëpo fluksi i qytetarëve ka qenë i madh dhe si rrjedhojë nënshkrimet mund të mblidhen më shpejtë.

Sadiku sqaroi se më pas nënshkrimet do të dërgohen në KQZ.

“Numrin e saktë nuk e di, por ka qenë një fluks shumë i madh dhe sipas grupit inciues nënshkrimet nesër mbërrijnë me i kry. Po i presin punëtorët e arsimit se kanë qenë në pushim, sepse ka qenë në mënyrë të organizuar. Nesër e mbërrijnë numrin e 3640 nënshkrimeve që janë 20 për qind e votuesve në Mitrovicë të Veriut, por afat kanë deri më 22 janar e më pas kanë të drejtë të kërkojnë edhe 15 ditë kohë shtesë. Nënshkrimet dërgohen më pas në KQZ”, tha ai.

Nëse KQZ konstaton se nënshkrimet e mbledhura janë valide atëherë organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit dhe për këtë duhen 50 për qind plus një votë.

Rezultati më pas i dërgohet presidentes dhe brenda 30-45 ditëve caktohet dita e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

(Kosova Sot Online)