Ja pse Osmani rithekson urgjencën për drejtësi

  • A.P /
  • 19 January 2024 - 18:03
Ja pse Osmani rithekson urgjencën për drejtësi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim Shyrete Tahirin Sulimanin, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës, duke thënë se kjo vjen “në vazhdën e angazhimit dhe mbështetjes për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Presidentja tha se të mbijetuarat e dhunës seksuale e kanë  përkrahjen e saj të parezervë, duke theksuar rëndësinë e vënies së autorëve të këtyre krimeve të tmerrshme para drejtësisë.

Më tej, ajo përsëriti thirrjen për një bashkëpunim të gjerë vendor dhe ndërkombëtar për garantimin e drejtësisë dhe përkrahjen ndaj viktimave.

Osmani përsëriti thirrjen për ta dënuar dhunën seksuale si armë të luftës në Kosovë e më gjerë.

Ajo potencoi se nevojitet “solidarizim dhe mbështetje e sinqertë përkrah të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës” dhe falënderoi Sylejmanin për angazhimin e saj intensiv për këtë kauzë, si në Kosovë, ashtu edhe jashtë saj.


(Kosova Sot Online)