Prokuroria ndalon një zyrtar të Komunës së Prishtinës dhe përgjegjësin e kompanisë pas rënies së çatisë

  • A.P /
  • 22 January 2024 - 17:41
Prokuroria ndalon një zyrtar të Komunës së Prishtinës dhe përgjegjësin e kompanisë pas rënies së çatisë

Lidhur me rastin e rënies së çatisë të objektit të Komunës së Prishtinës në Arbëri, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se ka ndaluar dy persona, transmeton gazeta "Kosova Sot Online"..

Bëhet fjalë për zyrtar komunal me inicialet Y.J dhe personi përgjegjës i kompanisë që ka kryer punimet me inicialet B.B.

Gjithashtu bëhet e ditur se gjendja shëndetësore e 23 vjeçares që u lëndua mbetet kritike.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik lidhur me rastin e rënies së çatisë të objektit të Kadastrit të Komunës së Prishtinës, më 18.01.2024, ku si pasojë e kësaj ngjarjeje mbeti e lënduar rëndë një qytetare e Republikës së Kosovës dhe gjendja e saj shëndetësore mbetet ende kritike, si dhe në këtë ngjarje u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale, me ç’ rast në vazhdën e veprimeve hetimore, sot me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar dy (2) persona të dyshuar në këtë rast, njëri nga ta është zyrtar i Komunës së Prishtinës me inicialet Y.J., përderisa personi tjetër i ndaluar me aktvendim të prokurorit është person përgjegjës i Kompanisë punuese për vend punishten e kompanisë në fjalë me inicialet B.B”, thuhet në njoftim.

“Po ashtu, ju njoftojmë se nga ana e Prokurorit të Shtetit është angazhuar eksperti gjyqësor nga lëmia e ndërtimtarisë në këtë çështje penale, në të cilën po vazhdojnë të zhvillohen hetime në koordinim me institucionet relevante”, përfundon njoftimi.


(Kosova Sot Online)