Osmani pas takimit me ambasadoren Tamar Ziv: Izraeli do t’i heq vizat për qytetarët e Kosovës

  • A.P /
  • 29 January 2024 - 17:44
Osmani pas takimit me ambasadoren Tamar Ziv: Izraeli do t’i heq vizat për qytetarët e Kosovës

Ambasadorja izraelite në Kosovë, Tamar Ziv e njoftoi sot presidenten Vjosa Osmani se Izraeli është pajtuar që t’i lejojë kosovarët të shkojnë atje pa viza për qëllime turistike, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Presidenca njoftoi se “në takim u diskutua për bashkëpunimin në mes të dy shteteve, si dhe për marrëveshjet ndërshtetërore në fusha të ndryshme të cilat pritet të nënshkruhen së shpejti”.

“Ambasadorja Ziv e njoftoi Presidenten Osmani se pas kërkesës së Presidentes drejtuar institucioneve të Izraelit, qeveria e Izraelit ka shprehur pajtueshmërinë për miratimin e marrëveshjes për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftim. “Në këtë drejtim, të dy ministritë përkatëse do të vazhdojnë me procedurat e nënshkrimit të marrëveshjes dhe qytetarët do të njoftohen sapo vendimi të hyjë në fuqi. Përmes kësaj marrëveshje, qytetarëve të Kosovës do t’u mundësohet udhëtimi pa viza në Izrael për qëllime turistike”.

Osmani e ka falënderuar ambasadoren për këtë vendim, duke e cilësuar atë si “zhvillim pozitiv i cili do t’i hapë rrugë bashkëpunimit më të thelluar në mes të dy vendeve”.

“Tutje, me rastin e përvjetorit të Ditës së Kujtimit të viktimave të Holokaustit, Presidentja Osmani përsëriti se Kosova kujton miliona njerëz të pafajshëm të humbur në një nga kapitujt më të errët të historisë së njerëzimit, dhe se kjo ditë shërben si rikujtim për pasojat shkatërruese që rrjedhin nga urrejtja dhe paragjykimi”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ambasadorja Ziv e ka informuar për situatën e sigurisë në Izrael, ndërsa presidentja Osmani e informoi ambasadoren për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon.

(Kosova Sot Online)