Rrugëtimi i Talat Xhaferit deri te posti i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut

  • A.P /
  • 29 January 2024 - 19:33
Rrugëtimi i Talat Xhaferit deri te posti i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut

Talat Xhaferi të dielën u zgjodh kryeministër i Maqedonisë së Veriut me 65 vota për dhe tre kundër. Sot e mori detyrën, për ta drejtuar qeverinë teknike, duke u bërë shqiptari i parë në këtë post, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”..

Njëzet e tre vjet më parë, 61-vjeçari nga Forina e Gostivarit ishte komandant i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, forcës guerile të shqiptarëve në shtetin ku u përpoqën edhe me luftë t’i fitonin të drejtat e barabarta.

Pasi Ushtria Çlirimtare e Kosovës u pajtua të demilitarizohej pas çlirimit më 1999, në Maqedoni shqiptarët në vjeshtë e krijuan UÇK-në e tyre, të udhëhequr prej Ali Ahmetit, një prej të parëve që i ishte bashkuar rezistencës së armatosur edhe në Kosovë, si përgjigje ndaj represionit dhe rritjes së dhunës nga Serbia.


Ahmeti, tash kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, partisë më të madhe të shqiptarëve atje, të dielën, si rrallëherë, foli në Kuvendin maqedonas. Ai kujtoi Marrëveshjen e Ohrit të gushtit të vitit 2001 që i dha fund luftës. Ajo siguroi, ndër tjerash që shqipja të bëhej gjuhë zyrtare dhe të rritej pjesëmarrja e tyre në institucionet qeveritare, polici e ushtri.

“Marrëveshja paqësore e Ohrit i dha tapinë Talat Xhaferit të jetë zot në vend dhe në shtëpinë e tij”, tha Ahmeti, duke iu drejtuar dy deputetëve opozitarë maqedonas, njëri prej të cilëve tha se partia tjetër maqedonase, LSDM-ja, ua “shiti shtetin” shqiptarëve dhe se i bëri maqedonasit “qiraxhi në shtetin e tyre”.

Ndërsa pozita e shqiptarëve në shtet u përmirësua, Talat Xhaferi mundi të bëhej ministër i Mbrojtjes në vitin 2013, ndërsa më 2017 u bë kryeparlamentari i parë shqiptar në Kuvendin maqedonas.

Shqiptarët janë bërë të rëndësishëm edhe në pushtet, ndërsa tash është e vështirë të krijohet ndonjë qeveri në Shkup pa ta. BDI-ja ka marrë pjesë në institucionet e vendit vazhdimisht.

Në verë të vitit 2020, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetari i atëhershëm i LSDM-së, Zoran Zaev kishin finalizuar marrëveshjen për koalicionin qeverisës, që përfshinte edhe zgjedhjen e një kryeministri shqiptar në muajt e fundit të mandatit, pra, në qeverinë teknike. Në dhjetor, BDI-ja vendosi që ky post t’i takojë Komandant Forinës, siç njihej Xhaferi gjatë luftës.

Pas rënies nga pushteti të Nikolla Gruevskit i cili akuzohej për keqpërdorime të shumta zgjedhore, partitë u morën vesh për Marrëveshjen e Përzhinos të vitit 2015, që përfshinte krijimin e një qeverie teknike që në një afat prej 100 ditësh do të duhet ta përgatisë vendin për zgjedhjet parlamentare. Këtë detyrë kryesore e ka tash edhe Qeveria e Talat Xhaferit, siç e tha edhe vetë kryeministri në Kuvend.

Xhaferi tha ndër tjerash se do të vazhdojnë “zbatimin e parimeve të marrëveshjeve për marrëdhëniet ndëretnike”, ndërsa foli më tej për disa prioritete strategjike shtetërore.

“Sundimi i së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbeten politika qendrore dhe strategjike të qeverisë”, tha ai.

“Do të zbatojmë proceset e nisura për rrumbullakësimin e legjislacionit vendor në lidhje me proceset institucionale të partnerit tonë strategjik – Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përcaktimin dhe sanksionimin e personave të lidhur me krimin dhe korrupsionin”, u zotua Xhaferi.

Pas kritikave të opozitës, Darko Kaevski, deputeti maqedonas i LSDM-së, partisë e cila qeverisi në koalicion me BDI-në, të dielën ka shrehur mbështetjen e parezervë të partisë së tij për zgjedhjen e Talat Xhaferit kryeministër të qeverisë teknike.

Ai e lavdëroi Xhaferin në fjalën e tij në Kuvendin maqedonas, për të cilin tha se ka dhënë kontribut “në një kohë me sfida të mëdha”.

“Xhaferi ka dhënë kontributin e vet në një kohë me sfida të mëdha. Në mandatin e tij u miratuan vendime shtetërore për ardhmërinë e vendit dhe për ruajtjen e standardit të qytetarëve. Me vendimet e tij dhe me forcat pro-europiane në Kuvend, në vitet e kaluara u bëmë anëtare e NATO-s, pas 17 vjet pritje filluam negociatat për hyrjen në BE”, tha Kaevski.

Përveç VMRO-DPMNE-së së Hristijan Mickoskit që ishte qartazi kundër zgjedhjes së Talat Xhaferit si kryeministër, të njëjtin qëndrim e mbajti edhe E Majta (Levica), partia ekstreme nacionaliste maqedonase e Dimitar Apasievit.

Talat Xhaferin s’e votuan as deputetët e partive opozitare shqiptare, Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike.

Ndërkaq Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Populli dhe Partia Demokratike Shqiptare, votuan pro Xhaferit.

Ali Ahmeti tha pas votimit se shqiptarët bënë “rrugëtim të gjatë e të mundimshëm për ta fituar atë që na takon ndër shekuj”.

“Të dashur qytetarë, vëllezër e motra, Dita e madhe historike për të cilën punuam të gjithë bashkë, ERDHI! Nga sot vendi ynë ka Talat Xhaferin, si Kryeministër të parë shqiptar! Rrugëtim të gjatë e të mundimshëm kemi bërë si popull për ta fituar atë që na takon ndër shekuj, pa pretenduar asnjëherë për të huajën, andaj është plotësisht legjitim gëzimi ynë i sotëm për këtë të arritur të madhe që dikur as nuk mund të imagjinohej. Dikur në shtëpinë tonë na mohohej gjuha, arsimimi, punësimi nëpër institucione, na torturonte e shtypte pandalë sistemi i atëhershëm shtetëror, ndërsa sot po jetojmë barazinë si vlerë demokratike që e bënë këtë vend më të mirë dhe në prag të dyerve të Europës”, shkroi ai në Facebook.

Ditë historike e konsideroi këtë të diel edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që e uroi Xhaferin, ashtu si edhe kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca e liderë të partive politike.

Qeveria Xhaferi do të jenë në detyrë derisa të pasohet nga qeveria e re me mandat të plotë, e cila do të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 8 majit, në të cilat shqiptarët pritet ta rrisin numrin e deputetëve. Po atë ditë, zhvillohet edhe rundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale. I pari do të zhvillohet më 24 prill.

(Kosova Sot Online)